8 aktivitete që mund të zhvilloni me fëmijët me aftësi ndryshe gjatë pushimeve verore

Nga Mariglena Muci, pedagogji speciale

Pushimet verore janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për fëmijët, por për të gjithë familjen. Në shumë raste ato mund të bëhen sfiduese për shumë prindër, për shkak të prishjes së rutinës së fëmijëve të tyre. Siç e dimë shumë fëmijë me nevoja të veçanta kanë rutinën e tyre dhe një ndryshim në të, mund të jetë shumë e vështirë nga ata për tu adaptuar. Prandaj është e rëndësishme, që prindërit të zhvillojnë aktivitete dhe tua mbushin ditën sa më shumë me ngjarje të ndryshme. Më poshtë po listoj disa aktivitete, që mund të zhvilloni me fëmijën si brenda dhe jashtë shtëpisë suaj:

  1. Të luani me “bubble” (flluska sapuni)

Loja me bubble është një nga të preferuarat e fëmijëve.  Ajo përdoret në mosha të ndryshme dhe në ambiente të ndryshme. Ju mund ta zhvilloni atë në shtëpi ose dhe jashtë saj. Flluskat janë një mënyrë shumë e mirë për të zhvilluar aftësitë vizuale tek ata. Ato janë tërheqëse për sytë dhe ndjekja e tyre i ndihmon shumë, që të zhvillojnë përqëndrimin. Gjithashtu, i ndihmon në zhvillimin e aftësive motorrike, duke vënë në lëvizje muskuj e vegjël të duarve për të kapur flluskat. Po kështu i ndihmon shumë edhe në zhvillimin verbal, nëpërmjet fryrjes së flluskave si ushtrim për zhvillimin e muskujve të gojës. Mbi të gjitha është shumë argëtuese dhe mund të qëndrojnë gjatë duke hedhur dhe kapur flluska.

  1. Shijoni një piknik

Paketoni drekën e preferuar të fëmijës suaj, merrni një batanije dhe hani jashtë nën rrezet e diellit! Natyra me bukurinë dhe gjelbërimin e saj është vetëvetiu një terapi për fëmijën tuaj. Lëreni të lirë të vrapojë, të kapë barin ose të prekë lulet. Gjithashtu, mund të aktivizoni dhe pjesëtarët e tjerë të familjes dhe të zhvilloni një ndeshje futbolli midis jush. Kjo do të ishte mjaft argëtuese për fëmijën tuaj, do të mbushte ditën dhe do të shijonte lirinë e tij.

  1. Loja e “çrregullt”

Fundjava është e mirë për t’i mbledhur të gjithë. Edhe ju mund të argëtoheni po aq shumë sa fëmijët tuaj. Prandaj do të ishte mirë të zhvillonit lojra të ndryshme në oborrin e shtëpisë suaj ose në natyrë. Ju mund të merrni bojra dhe mund të pikturoni ose krijoni punime të ndryshme. Por njëkohëshisht mund të zhvilloni edhë punë shtëpie, sepse me to ju mund të dekoroni shtëpinë tuaj. Mund të lyeni kangjellat e shtëpisë ose vazot e luleve! Ndoshta mund të bëjë pisë dhe rrëmujë oborrin, por ju mund të rregulloni gjithçka me fëmijën tuaj. Kjo është një mënyrë e mirë për t’i forcuar vetëkujdesin dhe për të forcuar marrëdhëniet sociale edhe me persona të tjerë ose pjesëtarë të tjerë të familjes.

  1. Shkoni në pishina

Cila do të ishte mënyra më e mirë për të shijuar rrezet e diellit se sa ajo e të shkuarit në pishina?

Ajo është jo vetëm zbavitëse, por edhe mjaft terapeutike për fëmijën tuaj. Prandaj zgjidhni vendin ku do të shkoni, tregojini fëmijës suaj imazhe të vendit dhe se çfarë do të bëni atje. Kjo është një mënyrë e mirë për të parapërgatitur fëmijën. Atje mundohuni të luani sa më shumë me fëmijën tuaj, të notoni, ta zhysni, sepse të gjitha ndihmojnë shumë në zhvillimin e aftësive motorrike dhe glogale të tij. Gjithashtu, afrojeni të shoqërohet e luajë, edhe me fëmijë të tjerë. Kjo do të forcojë më shumë marrëdhëniet e tij sociale dhe do të jetë një mënyrë e mirë për të kaluar ditën.

  1. Zhvilloni lojëra të thjeshta dhe praktike

Mjafton të keni dëshirë të luani, sepse në imagjinatën tuaj mund të vijnë një mori lojrash, që mund të zhvilloni me fëmijën tuaj gjatë gjithë ditës. Çdo mjet apo objekt i shtëpisë mund të vijë në shërbimin tuaj. Për të rikujtuar shkollën dhe për ta mbajtur afër me mësimet, ju mund të zhvilloni lojën e “mësueses”. Mund t’i jepni detyra fëmijës suaj dhe mund të merrni prej tij. Kështu ju i jepni një rol atij dhe e bëni të fitojë rëndësi dhe përgjegjësi. Njëkohësisht ju e ndihmoni të rikujtojë çfarë ka mësuar në shkollë. Gjithashtu, ju mund të numuroni sëbashku mjetet e tij, të vizatoni, të ngjyrosni figura, të prisni me gërshërë etj. Po kështu  (nëse fëmija juaj është vajzë) mund të luani me kukulla, duke e mësuar si ta ushqejë, veshë, lajë etj dhe duke forcuar aftësitë e vetëkujdesit.

  1. Shikoni filma

Sot, teknologjia na jep mundësisnë të shohim filmat e preferuar në çdo kohë. Prandaj ju mund të zgjidhni filmin e preferuar ose mund të kërkoni në internet filma të përshtatshëm për fëmijë me nevoja të veçanta dhe t’i shihni sëbashku. Ato i ndihmojnë fëmijët tuaj të relaksohen, të përqëndrohen dhe të kalojnë një pjesë të mirë të ditës. Mund të zgjidhni edhe cartoon, ato janë mjaft të preferuara nga fëmijët me nevoja të veçanta, sipas studime të ndryshme. Imazhet që shohin aty, i ndihmojnë të forcojnë aftësitë vizuale dhe kujtesën.

 

  1. Koha e muzikës

Muzika është fantastike, për fëmijët me nevoja të veçanta, veçanërisht për ata që nuk janë verbalë, pasi i ndihmon ata të shprehen. Ju mund ta shoqëroni ritmin me mjete të thjeshta, që mund t’i krijoni vetë në rolin e instrumentit. Kështu psh ju mund të krijoni “ zilkat” me anën të një shisheje me pak oriz brenda, ose daullen duke i rënë një kove me dy lapsa të vegjël. Me mjete të ndryshme rrethanore mund të krijoni instrumenta të ndryshëm, e kjo e ndihmon fëmijën tuaj të zhvillojë imagjinatën, të angazhohet me punë, të forcojë aftësitë motorrike dhe mbi të gjitha të argëtohet.

  1. Lexoni libra

Leximi i librave, i ndihmon të zhvillojë gjuhën dhe të folurën, por gjithashtu mund të zhvillojë një botë imagjinare dhe të frymëzojë biseda domethënëse. Mund t’i lexoni të preferuarit e tij, ose mund t’i zgjidhni sëbashku. Është e rëndësishme t’i përsërisni dhe t’i shoqëroni me ilustrimet e librit, sepse e ndihmojnë fëmijën të forcojë kujtesën. Gjithashtu, mundohuni ta ritregoni sëbashku, atë që lexuat, kjo do ta ndihmojë shumë fëmijën të verbalizojë.

Shpresoj që këto ide, t’iu ndihmojnë, por ju jeni plotësisht të lirë, të zgjidhni dhe të zhvilloni  edhe të tjera. E rëndësishme është të mbushni ditën e fëmijës suaj, ta argëtoni dhe ta bëni të ndihet i lumtur!

 

Add Your Comment