A ju ka ndodhur ndonjëherë të ecni buzë detit për të medituar apo thjesht për t’u shplodhur? Ekziston një shpjegim shkencor për ndjenjën e qetësisë që përjetojmë kur jemi afër ujit, qoftë ai det, liqen apo, thjesht, një burim. Profesionistët e fushës e quajnë “terapia blu”.
Efektet e dobishme
Sipas një studimi të ri të kryer nga Instituti i Barcelonës për Shëndetin Global, botuar në revistën shkencore Research Environment, shëtitjet e shpeshta në zona blu, ku ka dete, lumenj, liqene, burime, mund të kenë një efekt të dobishëm në mendje. Hulumtimi u krye me një grup prej 59 të rriturish. Gjatë një jave pjesëmarrësit kaluan 20 minuta të ditës duke ecur në një hapësirë blu, javën tjetër lëvizën nëpër qytet, ndëra javën e tretë, thjesht pushuan në shtëpi.
Uji, një hapësirë për mirëqenie
Studiuesit analizuan presionin e gjakut dhe rrahjet e zemrës së pjesëmarrësve para, gjatë dhe pas çdo aktiviteti dhe duke aplikuar pyetësorë, ata studiuan ndjesitë e tyre. Pas një shëtitjeje në një hapësirë blu, u vërejt një përmirësim i rëndësishëm në mirëqenie. Konkretisht, pas një shëtitjeje në plazh në Barcelonë, njerëzit e analizuar raportuan një përmirësim të humorit, vitalitetit dhe shëndetit mendor. Asnjë përfitim nuk është theksuar për shëndetin e zemrës dhe enëve të gjakut, por, rrjedhimisht, terapia blu mund të ketë efekte pozitive edhe për të.
Ngjyra blu duket se ka efekte pozitive në rrahjet e zemrës, presionit të gjakut dhe frekuencës së frymëmarrjes. Nuk është rastësi që bluja rekomandohet gjithashtu si një ngjyrë për muret e dhomës së gjumit.