Faktorët shkaktarë
Pyetjes se cili është faktori që sjell ADHD, nuk i jepet dot një përgjigje e vetme. Falë përmirësimit të teknikave dhe instrumenteve diagnostikues, neuroimazherisë, risive teknologjike dhe metodologjike, identifikimi i arsyeve dhe shkaktarëve të çrregullimit të vëmendjes me hiperaktivitet, është përherë e më i saktë, empirik dhe shkencor.
Shpjegimet aktuale të këtij çrregullimi përfshijnë faktorë neurologjikë, gjenetikë, familjarë, kognitivë dhe psikosocialë.
Më poshtë renditen ata kryesorë.
Faktorë gjenetikë
Trashëgimia është padyshim një nga faktorët kryesorë që sjell ADHD-në. Predispozita që njëri prej prindërve i cili është me çrregullimin e vëmendjes me hiperaktivitet, të ketë një fëmijë me të njëjtin çrregullim, është 6-8 herë më e lartë sesa në pjesën tjetër të popullsisë.
Gjithashtu, studime në familjet me ADHD, raportojnë për një korrelacion të shfaqjes së çrregullimit të vëmendjes me hiperaktivitet nga prindërit tek fëmijët në masën 35%.
Faktorë neurobiologjikë
Hulumtimet neuroimazherike tregojnë se fëmijët e prekur nga ADHD kanë të dëmtuar një pjesë të kortekstit prefrontal në hemisferën e djathtë, funksionim të ndryshëm të corpus callosum dhe të trurit të vogël. Funksionimi i ndryshëm neurologjik i trurit të tyre varion nga ndryshime neurokimike, në ndryshime të aktivizimit të cirkuiteve neuronale dhe deri në volume të reduktuara të zonave përkatëse cerebrale.
Faktorë psikosocialë
Konteksti psikosocial më shumë sesa një faktor shkaktar është një faktor ndihmues e lehtësues ose përkeqësues i çrregullimit.
Për sa kohë që marrim për të mirëqenë faktin se është një çrregullim i lindur, ose të paktën; predispozita për ta shfaqur është e trashëgueshme dhe gjenetike, për rrjedhojë nuk mund të pretendohet në asnjë rrethanë se çrregullimi i vëmendjes me hiperaktivitet vjen nga faktorë të jashtëm mjedisorë. Për këtë arsye, mjedisi ku jeton fëmija, sfondi kulturor, familjar, komunitar dhe social, shërben vetëm si faktor dytësor përgjatë ecurisë së çrregullimit; e ndihmon dhe e mirëkupton fëmijën, apo e rëndon dhe përkeqëson situatën.
Ka një korrelacion pozitiv mes shfaqjes së simptomave të çrregullimit të vëmendjes me hiperaktivitet dhe familjeve me status të ulët socio-ekonomik, sjelljeve antisociale të njërit prej prindërve, pranisë së ndonjë çrregullimi psikiatrik të njërit prej familjarëve, hospitalizimit dhe të të qënit anëtar i një familje të madhe.
Faktorët psikosocialë që nxisin përkeqësimin e simptomave të çrregullimit të vëmendjes me hiperaktivitet dhe një prognozë jo të mirë të çrregullimit janë:
- Mjediset shumë të varfëra
- Përjashtimi social
- Rritja dhe edukimi në një familje apo komunitet me konflikte të shumta dhe stresorë ambientalë
- Kequshqyerja
- Mungesa e kujdesit të duhur gjatë shtatzanisë
- Mungesa e kujdesit gjatë foshnjërisë dhe fëmijërisë së hershme
- Përdorimi i substancave të ndryshme dhe varësia e njërit prej prindërve
Përveç këtyre rasteve, pra kur mjedisi dhe familja nuk tregojnë dot vëmendjen e duhur ndaj këtyre fëmijëve, duke qenë se vuajnë nga problematika më të rënda, rastet e tjera të familjeve që kanë një fëmijë me ADHD dëshmojnë për një stil prindërimi jo shumë bashkëpunues. Sigurisht që kjo nuk është absolute, por ajo që ka dalë në pah nga studimet në familjet që kanë një fëmijë me çrregullimin e vëmendjes, është që prindërit priren të jenë të pakënaqur me fëmijët e tyre, më kritikë, më ndërhyrës, më pak tolerantë dhe mirëkuptues. Ky stil prindërimi është një formë reagimi dhe përgjigjeje që kanë prindërit përballë çrregullimit; pra është pasojë dhe jo shkak.