Mungesa e kompetencave social-emocionale që shprehin fëmijët karakterizohet nga:
- Paaftësia për t’u ndërgjegjësuar mbi pasojat e veprimeve të veta
- Paaftësia për të kuptuar kur bezdisin të tjerët
- Mënyra agresive e të shprehurit verbal dhe fizik
- Paaftësia për të shprehur emocionet dhe nevojat e tyre
- Mungesa e përqendrimit, vëmendjes, aftësisë për të pritur e duruar
- Vetëvlerësim i ulët dhe vetëkoncept jorealist
- Mungesa e strategjive dhe e shprehive për një ndërveprim efikas me të tjerët
Për të zhvilluar kompetencat sociale të fëmijëve, ndërhyrja më e shpeshtë është ajo që ka të bëjë me edukimin dhe trajnimin e aftësive sociale, që kryhet kryesisht nëpërmjet disa mënyrave:
- Lavdërimi
- Përforcimi pozitiv
- Pajisja e fëmijëve me strategji të vetëndihmës/menaxhimit të emocioneve
Një strategji për të punuar me fëmijët në aspektin e zgjidhjes së problemeve dhe të kontrollit të emocioneve është e mëposhtmja:
“Ndalo dhe mendo”
Është një strategji e cila përmban një sërë teknikash sjellore dhe kognitive, që synojnë ta mësojnë fëmijën me shprehi të përqendrimit dhe aftësi të mira reflektive; e për rrjedhojë për të rritur rendimentin akademik dhe cilësinë e marrëdhënieve sociale.
Për t’ia dalë mbanë me zhvillimin e aftësisë për të menduar hap pas hapi, programi “Ndalo dhe mendo” ka për qëllim ta mësojë fëmijën që t’i zbërthejë problemet në 5 stade:
- Përcaktimi i problemit (Cfarë duhet të bëj?)
- Përafrimi me problemin (Vlerësimi i zgjidhjeve të mundshme)
- Përqendrimi (Duhet të fokusohem vetëm këtu tani)
- Vlerësimi i zgjidhjes së duhur
- Vlerësimi i vetes e performancës (Kam bërë një punë të mirë/ Kam bërë disa gabime/Duhet të punoj më qetë)
Pjesa e parë pra e këtij programi i përkushtohet ndërhyrjes dhe zbatimit të aftësive të vëmendjes, të përqendrimit, me anë të ushtrimeve të ndryshme verbale, matematike, perceptive, etj. Ndërsa pjesa e dytë e këtij programi, merret me të mësuarit e aftësive sociale, të reflektuarit mbi situata të tilla praktike dhe zgjidhjen e problemeve sociale që has fëmija.