Natyra e crregullimit të vëmendjes me hiperaktivitet shfaqet në një masë të madhe si një disfunksion emocional, që prej fëmijërisë së hershme e deri në moshë të rritur, duke ndikuar negativisht në cilësinë e jetës emocionale dhe të marrëdhënieve të personit që vuan prej këtij crregullimi.
Impulsiviteti, reagimet e shumta, përjetimi i vrullshëm apo intensiv i emocioneve të fëmijëve me ADHD, bëjnë që ata të stigmatizohen, vecohen dhe refuzohen nga bashkëmoshatarët.
Ajo që është shumë e rëndësishme të mbahet mirë parasysh, është se fëmijët me ADHD nuk sillen në këtë formë me bashkëmoshatarët e tyre sepse nuk janë të motivuar, të interesuar apo se nuk dëshirojnë të kenë marrëdhënie të mira me ta, krejt përkundrazi. Dështimet në vendosjen e kontakteve sociale të këtyre fëmijëve vijnë si rrjedhojë e faktit se ata nuk munden dhe nuk dinë, jo sepse nuk duan.
Nëse konsiderohet me vëmendje ky element nga kushdo që ka kontakt me këta fëmijë duke mirëkuptuar drejt shkakun e sjelljeve të tyre, do të clirohen në një masë të madhe fëmijët me ADHD nga perceptimet e gabuara dhe keqkuptimet që rëndojnë mbi ta.
Përmbledhtazi, mungesa e kompetencave social-emocionale që shprehin fëmijët me ADHD karakterizohet nga:
- Paaftësia për t’u ndërgjegjësuar mbi pasojat e veprimeve të veta
- Paaftësia për të kuptuar kur bezdisin të tjerët
- Mënyra agresive e të shprehurit verbal dhe fizik
- Paaftësia për të shprehur emocionet dhe nevojat e tyre
- Mungesa e përqendrimit, vëmendjes, aftësisë për të pritur e duruar
- Vetëvlerësim i ulët dhe vetëkoncept jorealist
- Mungesa e strategjive dhe e shprehive për një ndërveprim efikas me të tjerët
Për të zhvilluar kompetencat sociale të fëmijëve me ADHD, ndërhyrja më e shpeshtë është ajo që ka të bëjë me edukimin dhe trajnimin e aftësive sociale, që kryhet kryesisht nëpërmjet disa mënyrave:
- Lavdërimi
- Përforcimi pozitiv
- Pajisja e fëmijëve me strategji të vetëndihmës/menaxhimit të emocioneve