Kur figura njerëzore e vizatuar paraqitet lakuriq, pas moshës 4-5 vjeçare është shprehje egocentrizmi dhe individualiteti të lartë. Mund të ndeshet në adoleshencë dhe tek personalitetet me tipare egocentrike.
Veshja në vizatime lidhet me shprehjen e narcisizmit të personit, i cili shfaqet në dy forma: nëpërmjet kujdesit të madh në paraqitjen e elementëve të veshjes dhe nëpërmjet kujdesit që tregohet në vizatimin e trupit. Në rastin e parë, narcisizmi që shprehet me anë të veshjes së vizatuar tregon ekstraversionin dhe nevojën për aprovim e për të qenë socialisht i pranuar nga të tjerët. Narcisizmi i trupit është karakteristikë e introvertëve, ku vëmendje më të madhe u kushtohet vizatimit të formave të trupit më shumë sesa detajeve të veshjeve.
Kur figura njerëzore vizatohet e veshur me rroba të trasha dimri (pallto, xhupa, peliçe) është një formë e shprehjes së nevojës së individit për ngrohtësi afektive dhe mund të jetë rasti ku mungon figura mëmësore, mungesë që përjetohet si e dhimbshme dhe me emocione negative prej personit.
Prania e shumë detajeve, e aksesorëve dhe bizhuterive tek vizatimet e vajzave është shprehje e një niveli të lartë narcisizmi dhe prirje për të tërhequr vëmendjen.
Një rresht me kopsa në veshjet e figurave humane të vizatuara flet për një nënshtrim dhe bindje ndaj autoritetit e figurave përfaqësuese të tij.
Vizatimi i xhepave në veshje është shprehje e varësisë psikologjike ndaj figurës mëmësore.
Kravatat dhe cigaret konsiderohen simbole me karakter seksual, të cilët nëse vizatohen me shumë kujdes dhe detaje shprehin shqetësim për sferën seksuale.
Vizatimi i veshjeve me efekte dritë-hije komunikon ndjenja ankthi.