Të lexuarit, shkrimi e shqiptimi rezultojnë të jenë detyra komplekse për fëmijët, madje dhe për shumicën dërrmuese që i mësojnë këto proçese pa shumë vështirësi. Por, për disa të tjerë, shkronjat, numrat, rrokjet, fjalët, veprimet e thjeshta matematikore, mund të kthehen në labirinte të vërteta, duke shfaqur kështu ato që klasifikohen si çrregullime të të nxënit. Në këtë libër, shqyrtohen konceptet teorike bazë të çrregullimeve të të nxënit/të mësuarit, kornizat diagnostike, rrugët e vlerësimit e vëzhgimit, klasifikimet kryesore të këtyre çrregullimeve dhe teknikat e ndërhyrjes e strategjitë e trajtimit.
Teksti përmban 20 kapituj, prej këndvështrimit të përgjithshëm, identifikimit të këtyre crregullimeve, trajtimit dhe raste konkrete e hartimit të planeve konkrete të personalizuara.
Ky tekst ka për qëllim jo vetëm të shpjegojë teorikisht se cilat janë çrregullimet e të nxënit nga pikëpamja diagnostike dhe klinike, por mbi të gjitha të rrisë ndërgjegjësimin dhe vëmendjen se këto çrregullime janë të pranishme dhe nëpër shkollat e klasat tona. Sigurisht që tema e çrregullimeve në të nxënë është prekur në literatura të mëparshme, si pjesë e nxënësve me nevoja të ndryshme, por kur vjen puna tek aplikimi i këtyre informacioneve dhe identifikimi i nxënësve me këto vështirësi, tabloja paraqitet më e zbehtë dhe e vakët. Pra, synim tjetër shumë i rëndësishëm i këtij teksti është që ta afrojë nxënësin që ka vështirësi në të nxënë me mësuesin, prindin, psikologun, duke i bërë më të prekshme dhe evidente nevojat e tij, duke i zhvendosur ato nga literaturat, tek vetëdijësimi dhe ndihma konkrete që i duhet ofruar.
Kryefjala e këtij teksti janë pra, fëmijët me këto vështirësi. Por, njëkohësisht në mënyrë të tërthortë u vjen atyre në ndihmë jo vetëm nga pikëpamja didaktike dhe edukative, por dhe ke. Nëse të rriturit që rrisin, edukojnë dhe arsimojnë këta fëmijë do ta kuptojnë drejt shkakun e vështirësive të fëmijëve të tyrë, këta të fundit do të zhvishen nga trysnia që i shoqëron shpeshherë, duke qenë se konsiderohen si dembelë dhe indiferentë ndaj procesit shkollor, kur e vërteta nuk është kjo.
Sa i përket shifrave të fëmijëve të prekur nga çrregullimet e të nxënit në Shqipëri, se cila është përqindja e tyre, frekuenca dhe prognoza e çrregullimeve, nuk ka të dhëna. Megjithatë, për të krijuar një ide se si është shpërndarja e këtyre çrregullimeve, mund t’u referohemi statistikave që vijnë nga vende të tjera.
Pa shkuar shumë larg, në vendin fqinj, Itali, në një studim me një kampion prej 1774 nxënësish në 94 klasa të katërta të fillores, rezultatet treguan se prevalenca e çrregullimeve të të nxënit është rreth 3.2 % (Barbiero et al., 2012).
Ose psh. sipas të dhënave, në SHBA konsiderohet se rreth 5% e nxënësve të shkollave publike (2.7 milionë nxënës) janë të prekur nga një çrregullim i të nxënit dhe se gjysma e nxënësve me nevoja të veçanta të cilët marrin mbështjetje dhe trajtim, janë nga ata me vështirësi në të nxënë (Pierangelo & Giuliani, 2010). E përkthyer ndryshe, kjo shifër do të thotë se në 1000 nxënës, mesatarisht 50 janë të prekur nga çrregullimet e të nxënit. Ose, në një klasë me 20 nxënës, 1 është i prekur nga këto çrregullime.
Këto shifra dëshmojnë se çrregullimet e të nxënit nuk janë kaq të rralla; shpërndarja e tyre është e tillë që meriton vëmendje dhe kujdes profesional të posaçëm.