Përse duhet të mendohet se nëpërmjet të vizatuarit dalin në pah edhe çrregullimet e zhvillimit dhe shqetësimet mendore të fëmijëve?
Ashtu siç është cekur dhe shpjeguar më herët, fëmija përveç se vizaton atë që sheh, kryesisht vizaton atë që di dhe mendon. Veprimtaria artistike është në çdo rast një punë krijuese individuale dhe tregon aspektet më të thella dhe të brendshme të personalitetit. Ashtu si ëndrrat, vizatimi shërben si një pasqyrë e të pandërgjegjshmes.
Për këto arsye, fëmija i cili vuan prej një çrregullimi apo një alteracioni psikologjik, në mënyrë të pashmangshme do ta shprehë këtë edhe në vizatime, meqë ky i fundit është një fletë e bardhë mbi të cilën shkruhen proceset afektive dhe kognitive. Madje, fëmijët me vështirësi në të shprehur dhe çrregullime pervasive të zhvillimit, duket se gjejnë një strehë më të sigurt brenda botës së tyre, sesa në vendosjen e kontakteve me mjedisin e jashtëm. Është më e lehtë për këta fëmijë të praktikojnë potencialet e tyre nëpërmjet shprehjeve artistike pak surrealiste dhe zhvillimit të veprimtarive individuale me këto karakteristika, e do të ishte një lloj arratisje nga realiteti, duke qenë se zhvillimi i tyre atipik ua vështirëson komunikimin normal verbal.
Lidhur me paraqitjet grafike të fëmijëve me vonesa mendore, ka dallime sasiore dhe cilësore me ato të moshatarëve të tyre me zhvillim tipik. Do të thotë se dhe për profesionistin që punon me fëmijën në këtë rast ka vështirësi praktike për t’i kuptuar deri në fund. Duke iu referuar etapave të zhvillimit të vizatimit (Lowenfeld, 1947), këta fëmijë pothuajse asnjëherë nuk arrijnë tek etapa e fundit, që ka të bëjë me krijimtarinë dhe të menduarit e lirë analitik. Duke qenë se zhvillimi kognitiv tek këta fëmijë është më i ngadaltë, ata qëndrojnë më gjatë tek një etapë. Nuk është fjala për vizatime të realizuara keq dhe jo bukur, por për ndryshime të mirëfillta në strukturë. Psh, vizatimi i një fëmije me zhvillim të vonë intelektual i cili është 10-vjeç, por konsiderohet me një moshë mendore 5-vjeçare, do të jetë cilësisht i ndryshëm prej vizatimit të një fëmije 5-vjeçar me zhvillim tipik (Ferraris, 2012).
Tek fëmijët me autizëm përveç dallimeve që shfaqin vizatimet e tyre në formë dhe paraqitje, i gjithë proçesi i të vizatuarit është i ndryshëm. Shpeshherë, vizatimi është një nga aktivitetet e tyre më të parapëlqyer të cilit këta fëmijë u kushtojnë më shumë kohë. Nuk janë të pakta rastet kur fëmijët këta fëmijë kanë prirje dhe talent në të vizatuar. Ky fakt shpreh karakterin komunikues të vizatimit; duke qenë se një nga fushat kryesore ku fëmijët me autizëm paraqesin vështirësi është gjuha verbale, atëherë të vizatuarit u shërben atyre edhe si mjet komunikimi.
Fëmija me autizëm është i zhytur në botën e tij e duke qenë se nuk është shumë i prirur drejt asaj të jashtme dhe kontakteve sociale, kalon pjesën më të madhe të kohës mes fantazive dhe imagjinatës së tij. Edhe vizatimet e tyre paraqesin më së shumti elementë simbolikë të botës së tyre të brendshme, që në pamje të parë mund të japin përshtypje se janë abstrakte apo pa vijë logjike, por për këtë fëmijë janë përfaqësimet ku ai projekton mendimet e veta. Kur këta fëmijë vizatojnë figura njerëzore ose familjen, zakonisht i paraqesin anëtarët e familjes të vegjël në përmasa, larg nga njëri-tjetri, në pozicion statik dhe pa i diferencuar në detaje njërin nga tjetri (Ferraris, 2012).