Veçori të çrregullimit të vëmendjes me hiperaktivitet në moshën e rritur

Përshkrimi i fotos

 

Nga Dr Lorela Garuli

A vazhdon çrregullimi i vëmendjes me hiperaktivitet të jetë i pranishëm gjatë gjithë jetës dhe në moshën e rritur?

Kjo pyetje është objekt diskutimesh mbi praninë e çrregullimit pas adoleshencës dhe sesi shtrihet ecuria e ADHD përgjatë jetës së individit të diagnostikuar që në fëmijëri.

A vazhdojnë simptomat e ADHD dhe kur individi nuk është më fëmijë, apo ato nuk janë më persistente pas njëfarë moshe?

Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje, disa studiues (Faraone, Biederman & Mick, 2006) analizuan shfaqjen dhe ndryshimin e simptomave të çrregullimit në 21 raste me ADHD të diagnostikuar në fëmijëri. Kampionimi përbëhej nga individë prej 10 deri në 30 vjeç, për të parë në këtë mënyrë psh, a kishte dallim mes ADHD së një fëmije që ishte nxënës shkolle dhe një të rrituri 30 vjeç. Pjesa më e madhe e individëve të marrë në studim kishin bërë një vlerësim të dytë të ADHD rreth moshës 18-vjeçare dhe vazhdonin të kishin të gjithë elementët e çrregullimit.

 

https://humanum.al/2020/09/01/libri-crregullimi-i-vemendjes-dhe-hiperaktiviteti-udhezues-per-profesioniste-dhe-prinder-nga-lorela-garuli/

 

Rezultatet treguan se prognoza e çrregullimit në moshën e rritur varet në mënyrë direkte nga ashpërsia e çrregullimit, që do të thotë se në rastet kur simptomat e ADHD janë të pranishme të gjitha që në fëmijërinë e hershme, ato vazhdojnë të jenë pjesë edhe e të rriturit me ADHD, në një masë deri 60% (Faraone, Biederman & Mick, 2006).

Megjithatë, prërtej shifrave dhe përqindjeve, ajo që është e qartë dhe e vërtetë nga evidencat klinike, është se të rriturit me ADHD vazhdojnë të kenë vështirësi si rrjedhojë e crregullimit dhe vazhdojnë të kenë nevojë për ndihmë të specializuar.

 

Karakteristikat e ADHD në moshën e rritur:

  • Vështirësi më të mëdha në mungesën e vëmendjes sesa në sjelljen hiperaktive.
  • Vështirësi për të mbajtur vëmendjen, mungesë përqendrimi, padurim, irritim.
  • Vetëvlerësim i ulët dhe ndjenja dështimi.
  • Tolernacë e ulët ndaj frustrimit, rutinës dhe monotonisë.
  • Kërkim i vazhdueshëm i aktiviteteve me stimuj dhe emocionalitet të lartë.
  • Luhatje emocionale dhe ndryshim i gjendjeve të humorit në mënyrë të papritur disa herë gjatë ditës pa ndonjë shkak objektiv apo nxitje nga mjedisi i jashtëm.
  • Vështirësi për të respektuar kohën, oraret dhe afatet.
  • Vështirësi në kujtesën e punës, atë verbale, kryerjen e disa detyrave në të njëjtën kohë dhe kryerjen e detyrave apo përmbushjen e objektivave afatgjatë.
  • Mungesë qëndrueshmërie në marrëdhëniet ndërpersonale, ndarje apo divorce të shpeshta, marrëdhënie të vështira në cift, sjellje të nxituara, të shpërqendruara apo pozicion mbrojtës ndaj partnerit që vjen si rrjedhojë e perceptimeve negative dhe e pritshmërive të ulëta nga dështimet e mëparshme në marrëdhënie.
  • Vështirësi në përfundimin e studimeve, duke e braktisur shkollën e mesme apo universitetin në mes; braktisje e cila nuk lidhet aspak me inteligjenën.
  • Shfaqin vonesa ose mungesa në punë, ndërrime të shpeshta të vendit të punës, zhvlerësim dhe humbje të lehtë të interesit për atë që bëjnë.
  • Problematika në marrëdhëniet me drejtuesit në punë dhe me kolegët, për këtë arsye shpeshherë punojnë vetëm dhe jo në grupe.
  • Nëse puna që bëjnë kërkon aftësi të organizimit dhe planifikimit apo kujdes ndaj detajeve, kanë vështirësi të mëdha për ta kryer.
  • Varësi nga substancat, aksidente të shpeshta me makinë, probleme të shkaktuara duke qenë nën efektin e alkoolit.
  • Sjellje agresive dhe konfliktuale.