Çfarë tregojnë duart në vizatimin e njeriut për marrëdheniet sociale të fëmijëve? Nga Lorela Garuli

Pas aspekteve formale të vizatimit, drejtimi tjetër sipas të cilit do të kuptohet dhe interpretohet vizatimi i figurave njerëzore që fëmija bën, është simbolika e vizatimit; çfarë tregojnë elementët e pjesët përbërëse të trupit njerëzor dhe si përkthehet në informacion të vlefshëm kjo simbolikë.

Duart janë gjithashtu pika kontakti me mjedisin, duke simbolizuar aftësinë për të modifikuar dhe ndryshuar ngjarje dhe ndodhi (simbolikë kjo që lidhet me veçorinë e duarve si ajo pjesë e trupit me anë të së cilës prekim, kryejmë çdo nevojë, punojmë, shkruajmë, krijojmë, vishemi, hamë, lëvizim objektet e me radhë). Marrin një rëndësi të veçantë në të kuptuarit e ndjenjave që kanë të bëjnë me marrëdhëniet.

Kur duart nuk vizatohen, bëhet fjalë për vështirësi në krijimin e marrëdhënieve, që mund të vijë si rezultat i mungesës së besimit në vetvete, paaftësisë për t’u përshtatur në mjedise të ndryshme sociale, ose ndjenja faji. Konsiderohet se duart nuk vizatohen kur janë të fshehura ose kur mungojnë tërësisht në vizatim.

Kur janë të fshehura, ato vizatohen në xhepa ose pas kurrizit dhe flasin për ndjenja faji të lidhura me vjedhje apo masturbim. Nëse nuk janë të vizatuara fare, tregojnë për një dëshirë për të shkuar drejt raporteve sociale, por njëkohësisht për një paaftësi për t’i përmbyllur. Që do të thotë se, është fjala për individë që duan të kenë marrëdhënie sociale, por presin të tjerët t’i nisin dhe t’i ndërtojnë ato.

Duar të vizatuara të hijëzuara ose të fshehura nën doreza, komunikojnë agresivitet të fshehur e të shtypur.

Kur janë të vizatuara shumë të mëdha, janë shprehje e një papërshtatshmërie shoqërore. Nëse ky detaj gjendet tek autoportreti, është fjala për një agresivitet të vetë personit, ndërsa nëse duart vizatohen të mëdha tek një person tjetër i njohur, tregojnë për një individ që i trembet agresivitetit apo që ka qenë viktimë e tij.

Vizatimi i gishtave shumë të dukshëm ose të gjatë është tjetër shprehje e agresivitetit.

Kur vizatohen në formën e një dore të mbyllur grusht, tregojnë për një agresivitet të represuar; gishtat e hapur e të ndarë nga njëri-tjetri shprehin një agresivitet që manifestohet edhe për së jashtmi, i cili në këtë rast paraqitet në mënyrë simbolike me duart si instrument dhune.

Kur gishtat janë të hapur nga njëri-tjetri, komunikojnë gadishmëri për të hyrë në marrëdhënie, prirje për shoqërizim dhe ekstraversion.

Duar të vizatuara si petale, me gishta të së njëjtës gjatësi, janë tipike për fëmijët e vegjël deri në moshën parashkollore. Më tej, konsiderohen si elementë regresivë.

Kur duart janë të paraqitura me konture të zeza të theksuara fort, komunikojnë nevojën për të kontrolluar dhe përmbajtur agresivitetin e brendshëm.

Duar të vizatuara në formë të rrumbullakosur, ku gishtat nuk ndahen njëri prej tjetrit, shprehin vështirësi praktike në përdorimin e duarve.

Bëj një koment