Detaji i derës dhe dritares në vizatimin e shtëpisë; çfarë shpreh për jetën sociale të fëmijës? Nga Lorela Garuli

Dera

Simbolika e derës si pjesë e vizatimit të shtëpisë ka të bëjë me mënyrën sesi vendoset kontakti me realitetin dhe dalja në botën e jashtme. Me anë të derës fëmija lejon të tjerët të hyjnë në botën e tij dhe të komunikojnë me të. Pra, dera përfaqëson “hyrje-daljet” me mjedisin e jashtëm, që në nivel psikologjik përkthehet në raportin introversion-ekstraversion.

Kur janë të vizatuara disa shkallë para portës, tregojnë se familja vendos disa “pengesa” për të hyrë brenda saj.

Kur dera mungon, është shprehje e vështirësisë së hyrjes në kontakt me realitetin, mbyllje dhe vetmi.

Në rastin që janë vizatuar dy dyer, janë tregues të problematikave me karakter familjar, një lloj dualiteti mes parimeve e vlerave të familjes, ku individi gjendet i dyzuar.

Kur dera vizatohet e mbyllur flet për kujdes në vendosjen e marrëdhënieve me jashtë; kur është vizatuar e hapur tregon që familja është e hapur në vendosjen e kontakteve me realitetin e jashtë, fëmija është i lirë të dalë e të eksplorojë.

Kur është vizatuar e madhe, shpreh varësi të lartë nga mjedisi dhe nevojë për të marrë nxitje të vazhdueshme prej tij.

Dera mund të vizatohet me bllokime, me mbyllje të shumëfishta, hekura, e kangjella, që në planin projektiv janë shprehje të ndjenjave të fajit, dëshirës për t’u fshehur e për të mos u vëzhguar.

Dyert transparente konsiderohen si dobësi në lënien “zbuluar” të botës së brendshme të inidividit që e vizaton.

 

Dritaret

Simbolika e tyre është e ngjashme me ato të derës; janë “sytë” nëpërmjet të cilëve fëmija sheh dhe njeh botën e jashtme. Dritaret janë një formë tjetër e shkëmbimit me mjedisin social, nëpërmjet së cilës fëmija mund të shohë mjedisin, por edhe të ekspozohet tek ai.

Kur vizatohen të hapura tregojnë gadishmëri ndaj raporteve sociale; të mbyllura shprehin vështirësi për të hyrë në marrëdhënie; të pajisura me hekura flasin për ndjenja ankthi, ku fëmija ndihet “i burgosur” dhe i mungon liria e iniciativa.

Vizatimi i shtëpisë pa dritare, tregon për një sens mbylljeje të theksuar, i cili nuk mundet të njohë dhe të hyjë në kontakt me mjedisin.

Kur janë tepër të mëdha në përmasa, flasin për një gadishmëri të lartë në përfshirje ndaj marrëdhënieve sociale dhe nevojë për të pasur shumë hapësira.

Kur vizatohen vetëm konturet e dritareve, pa detaje apo kanatë, janë shprehje e thjeshtësisë dhe spontanitetit.

Të vizatuara me detaje, lule, perde tregojnë për një ndjeshmëri të lartë ose sens vlerësimi të së bukurës.

Dritaret mund të vizatohen të bllokuara, e në këtë rast flasin për një ndjenjë mbylljeje, paranoje apo kujdes të tepruar.