“Nën kthetrat e çrregullimeve të humorit…”. Reflektim mbi shëndetin mendor, nga Krisalda Sauli, psikologe

Problematikat me humorin vështrirësojnë funksionimin e shëndetshëm gjatë përditshmërisë. Njerëz të ndryshëm, burra e gra, për arsye të ndryshme personale, familjare, kulturore, sociale, jetësore, vuajnë nga ankthi, depresioni, paniku. Tendeca për të  kërkuar përmirësimin e gjendjes deri dhe largimin totale të saj përmes psikoterapisë ose qasjeve të tjera psikologjike, duke u drejtuar në një specialist të shëndetit mendor, vitet e fundit është rritur. Përkujdesja për shëndetin mendor dhe mirëqënien emocionale është vendosur dhe është shumë optimale të jetë e vendosur, në një rëndësi të lartë.

Por, si përjetohet një gjendje e rënduar emocionale, që të bën të vuash për një kohë relativisht të gjatë? 

Periudhat me një çrregullim të mundshëm të humorit, janë disi kështu:

“Mëngjesi është i qetë! Ti ndihesh se e zotëron, se je i aftë të besh aktivitetet e përditshme. Kujdesesh për detyrat e tua: në shkollë, në punë, në familje. Je i bindur se askush nuk do të kuptojë, askush nuk duhet të kuptojë. Ti beson që askush nuk duhet të dijë. Ti thellë fajëson dhe për këtë ke frikë, fajëson ty, fajëson atë, fajëson atë edhe ty, nuk fajëson askënd dhe në fund heshtje! Trembesh se do të humbasësh kontrollin dhe gjithë bota jote do shembet. Ankohesh i mekur kur ndjen se diçka po ndodh, diçka po ndodh brenda teje. Pret të dëgjohesh, të kuptohesh, të respektohesh, por dëgjon vetëm këshilla për ato që ti duhet të bësh që të jesh i pëlqyeshëm, që të jesh mirë. Ti mësohesh të vendosësh të dukesh mirë. Por ti ke nevojë të jesh, shumë mirë! Menjëherë ti vendos atë buzëqeshje në fytyrë, që fsheh lotin në sy dhe nis dita jote e zakonshme.

Ditë e lodhshme! Mundohesh ta mbushësh me shumë punë, me shumë njerëz. Në asnjë moment mos të ndihesh vetëm, mos të kesh nevojë të mendosh, mos të kesh frikë, mos të duash ta ndëshkosh veten. Lutesh të gjesh forcën të kënaqesh me ato që bën dhe e urren veten që je kaq i pashpresë të shohësh bukurinë e çasteve. Të duket sikur ti je aty, në atë parkun e bukur, të mbushur me aromë lulesh, atë ditë me diell. I jep forcë vetes të marrësh frymë thellë, sikur bllokimi që ndjen do pastrohet sapo të hyjë ajër i pastër në mushkëritë e tua. Por, ja ku është prapë! Përsëri ai mendim! Përsëri ajo vetmi! Përsëri kritika, mërzitje, inat, turbullim, ankth, frikë, panik, turp, dobësi, melankoli, dëshpërim. E ndjen sërisht trupin e lodhur, trurin e ngarkuar, të mbushur plot me mendime! Të mbyt kjo gjëndje! Do që të shpëtosh! Lufton shumë t’ja dalësh, deri sa nga betejat e njëpasnjëshme shpërthen në lot. Herë e fsheh, herë do të doje ta dinte dikush, do të doje të qaje në praninë e dikujt, do të doje të mund të kuptonte heshtjen tende, do të doje që të dallonte dhimbjen që po fsheh me mish e me shpirt pas të bërtiturave të papritura, të pashpjegueshme, sforcimin tend të ngrihesh nga krevati në mëngjes, dikush…dikush të kuptojë. Por, rrethanat nuk tolerojnë.

Aty diku, në ato çaste, fillon bie nata. Në dhomë. Ndihesh sërisht vetëm, do të shtrihesh e të mund të flesh pafundësisht gjumë, ndryshe nga disa javë më parë që nuk të zinte gjumi. Edhe ky alternim herë pas here po të lodh, po të konsumon. Por, sapo shtrihesh ndodh që të mbytesh në lot, siç të ndodh edhe të ndjesh që lotët u thanë.

Ka momente që ti ndjen se je mirë! Ja dole. Ka kohë që ti nuk ndihesh keq dhe gjithçka është normalizuar. Ishte një fazë, iku, kaloi. Tani rutina jote nuk përmban më mendime, lot, dhimbje. Ti, qesh! Jo me gjithë shpirt, e ti e ndjen këtë! Por, ndjen se po merr frymë më lirshëm. Sikur pas një dimri të ftohtë, ka ardhur një pranverë e çelur. Por… Ti e ke frikën se një ditë dimri, do të rikthehet…

Dhimbja shtohet sa herë ty të duhet të merresh me veten dhe ta shohësh në sy, pa ulur kokën, pa e shmangur, duke u marrë me gjëra të tjera, pa e kritikur për të gjitha ato faje që ti i ke ngarkuar, pa qënë nevoja ti kthesh kurrizin dhe ta detyrosh të flasë me zë të mbytur. Po. Ajo mbytja që ti ndjen, ai panik që të zë kur rri me ty, ato mendime që stë lejojnë të flesh ose të zgjojnë çuditshëm është pikërisht zëri i vetes tënde, e një vete që dëshiron të zhvillohet, e një vete që i ke ngritur mure, e ke lenduar, e ke mbushur me pakënaqësi, keqperceptime, armiqësi dhe detyra.

Por…

Po! Tu nevojit kohë. Ishte luftë e vazhdueshme, e ashpër, të vendosësh të kërkosh ndihmë. Kishe frikë. Do të gjykonin, do të ofendonin, do të karakterizonin me shumë fjalë. Por, ti e vendose. Do të trokasësh në derë të sigurt, ku e di se do ta hapë personi i duhur. Ke shtrënguar fort grushtat dhe tani je para asaj dere. Nuk e di se ç’do ndodhë, ke shumë pyetje për t’i bërë, shumë fjalë për t’i thënë. Hyn brenda. Do që të thuash shumë. Ka momente që tregon shumë, ka moment që flet heshtja jote. Por, ti ke vendosur t’ja dalësh. Kupton se të duhet kohë, të kërkohet t’i japësh kohë kohës, të kërkohet të jesh korrekt në orare, të jesh bashkëpunues. Dhe ti e bën. Është proces, është e vështirë, është e dhimbshme. Ka ditë që ndihesh i lodhur, por këmbet e tua arrin vetë te dera e tij. Ka ditë që mezi pret orën për të shkuar e folur… për ty. Po! Për ty! Sepse ti tani po shikon veten thellë në sy dhe pasqyra jote po të flet brënda fjalëve të tua.

Kalon kohë. Procesi zgjat, por ti po e sheh vërtetë që tani ke ndryshuar. Duke u parë thellë në pasqyrë ti ke shikim të pastër. Papritmas ndihesh sikur u zgjove nga një gjumë letargjik. Litarët e mendimeve të tua janë zgjidhur dhe ti ke bërë një shok të ri. Ty! Ishte shumë e vështirë ta hapësh derën e të drejtohesh te një pasqyrë që është aty për ty, për të dëgjuar, për të kuptuar, për të mbështetur dhe për të qënë me ty në objektiva shumë të rëndësishme që dëshiron TI të vendosësh. Por, ti ke shumë forcë. Këtë e dije mirë. Këtë e di shumë mirë. Ke shumë forcë thellë brenda teje! Ke një forcë të jashtëzakoshme! Dhe për më tepër ti tani nise ta përdorësh, ta duash, ta vlerësosh, ta respektosh. Po. Është e vërtetë. Ti tani beson. Ti tani kupton. Ti tani e kupton, se të jesh “njeri” nuk është e thjeshtë. Muret rrëzohen. Bota është e njëjtë, por ti ndryshove mënyrën që e sheh atë. Burgu yt vrastar nuk është më. Ti hap pas hapi, del nga qelitë e tij deri sa i mbyll kasafortës së shpirtit tënd… derën, pasi e ç’plurose nga aq gjëra që i kishe futur me dhimbje, inat, frikë… aty. Tani gjithçka normalizohet dhe pas stuhisë së rrëmbyeshme ti gjen paqe, mendon për ty, bën ëndrra. Tashmë ti vazhdon…në rrugë të reja mendimi…”

Add Your Comment