Marrëdhënia mes disiplinës pozitive dhe zhvillimit prosocial; roli i shkollës. Nga Krisalda Sauli, psikologe

Shkolla është mikromjedis socializues, në të cilin fëmijët njihen me normat, rregullat që duhet të zbatojnë, sjelljet komforte që duhet të brendësojnë dhe tipet e ndryshëm të individëve që do përballin si të rritur. Disiplina pozitive është një formë edukimi aktiv, që përfshihet në kurrikulën e re të pedagogjisë në shkolla fillore e të mesme.

 

Koncepti i disiplinës ka evoluar dhe sot prezantohet si një udhëheqje konstante, me në thelb respektin ndaj nxënësit, pjesëmarrjen aktive, komunikimin e drejtëpërdrejtë dhe edukimin përmes diskutimit, punës në grup dhe përforcimit të sjelljeve normative (Instituti i zhvillimit të arsimit; 2014). “Pozitive” nuk do të thotë se çdo gjë duhet të shikohet pozitivisht, por qasja ndaj të nxënit duhet shikuar nga të gjitha format, aspektet dhe qëndrimet. Fëmijët kanë nevojë të mësojnë që të kuptojnë dhe të respektojnë rregullat e shoqërisë. Por, nuk është e nevojshme të ushtrohet dhunë ose të abuzohet me ta. Shkolla respekton aftësitë dhe përpjekjet e secilit nxënës për të krijuar mënyrën e vet të të nxënit. Të kuptuarit e kësaj që po mësohet është elementi themelor në procesin kompleks të edukimit.

 

Aplikimi i disiplinës pozitive në klasë 

Disiplina pozitive është një proces që miraton dhe shpërblen sjelljen normative. Kjo realizohet: së pari, përmes përshkrimit të sjelljes pozitive me fjalë. Së dyti, përmes qartësimit të arsyeve që e përkufizojnë një sjellje si pozitive. Së treti, duke kërkuar miratim gjatë orës së mësimit për një veprim ose sjellje personale. Dhe së katërti, duke inkurajuar sjelljet e mira përmes kontaktit me sy, miratimit me kokë, një periudhë e shkurtër loje në fund të ditës, shpërblimit dhe shpehjes së mirënjohjes.

 

Për përdorimin e disiplinës pozitive në klasë duhet të respektohen e zbatohen disa parime. Pjesë e këtyre parimeve janë: respekti ndaj dinjitetit të çdo nxënësi, zhvillimi i qëndrimeve prosociale, motivimi për pjesëmarrje aktive në klasë, garantimi i paanësisë kundrejt nxënësve, nxitje e solidaritetit dhe përdorimi i drejtësisë.

Në kurrikulën e re, arsimimi vlerësohet si produkt i sfidës dhe zbavitjes në jetë. Nxënësi pasqyrohet si spiral i pafund, me përmbajtje, thellësi dhe rëndësi që merr pjesë në mënyrë aktive në zgjidhjen e problemeve e planifikimin e aktiviteteve të së ardhmes. Përmbajtja mësimore është e formuar në mënyrë që nxënësi të bashkëpunojnë duke shprehur dëshirat e interesat e tij dhe është përshtatur me potencialet individuale të individëve për të krijuar marrëdhënie pozitive kah të nxënit.

 

Mësuesi si përdorues i disiplinës pozitive

Rol kyç në ndërtimin e një atmosfere pozitive dhe motivuese në klasë e ka mësuesi. Ai është udhëheqës në procesin e të nxënit, por e sheh veten si nxënës bashkë me nxënësit e tij. Mësuesi i cili është duke bërë hapat e zhvillimit së bashku me nxënësin, e krahason vetëm me veten dhe gjithmonë mundohet t’i përmbahet aftësive të tij, duke mos e krahasuar me nxënësit e tjerë të së njejtës moshë. Mësuesi duhet të jetë vëzhgues i mirë, të ketë aftësi organizative e menaxhuese për shkollën e klasën, të respektojë nxënësit, të jetë bashkëpunues me kolegët dhe prindërit.

 

Për më tepër, mësuesi duhet të jetë aktiv, i duruar, i dashur, i afrueshëm dhe “me sy pas shpine”. Ai duhet t’i lërë kohë nxënësit të mendohet dhe të zhvillojë idetë e tij, të vlerësojë e shpërblejë përpjekjet, të nxisë imagjinatën dhe të ndihmojë nxënësin të formulojë qëndrime.

Mësuesi duhet të japë mundësinë secilit nxënës të zgjedhë duke marrë në konsideratë aftësitë e tij, të jap mundësinë të kuptojë aftësitë e tij vetë dhe ta ndihmojë të zhvillojë një vetëvlerësim të lartë për vete. Me përdorimin e qasjes individuale e disiplines pozitive kah të nxënit dhe me praktikimin e formave të ndryshme të të shkruarit, mësimdhënësit zhvillojnë te nxënësit komunikimin verbal.

Sipas një studimi nga Helen Shahriari dhe Nora Dudëick (2000), mësuesi krijon situata që i bazon në përvoja të drejtëpërdrejta ose mbi hulumtime, përmes së cilave plotëson funksionin e tij si nxitës në të menduarin kritik, mediator në prezantimin interaktiv të lëndës dhe mbështetës në marrjen e iniciativave të nxënësit. Mësuesi duhet të përcjell pozitivitet në klasë, t’i përmbahet normave, dhe në momentet që i lejohet të bëjë humor. Në këtë menyrë, ora e mësimit bëhet e pëlqyeshme dhe sjell rezultate të larta. Por, duhet theksuar se nuk aplikohet kjo disiplinë nga të gjithë mësuesit. Hulumtime tregojnë se në shkolla shqiptare praktikohet ende disiplina e rreptë, jo bashkëpunuese që konsiston në mbivlerësimin e rolit të mësuesit dhe në abuzimin apo dhunimin e nxënësit.

 

Marrëdhënia mes disiplinës pozitive dhe nxënësit

Për fëmijët e moshës shkollore është shumë e rëndësishme t’u ofrohen aktivitete të ndryshme për zbulim, hulumtim dhe ushtrim. Fëmijët nxiten t’i shohin ngjashmëritë mes njerëzve dhe qënieve të tjera të gjalla në botë. Nëpërmjet punës së përbashkët në projekte, të cilët bazohen në interesat e klasës në terësi, individët bashkëpunojnë, por në të njejtën kohë çdo individ i ndërton të nxënit dhe njohuritë personale. Klasa e rregulluar mirë, funksionon sipas supozimit se… çdonjëri ka nevojë t’i përkasë bashkësisë dhe të ndjehet se është i dobishëm për të tjerët. Fëmijët bëhen anëtarë të përgjegjëshëm, ndikohen nga njëri-tjetri dhe vlerësohen për kontributin e dhënë. Për shkak se mësimdhënësit u japin kohë nxënësve të shprehen, të njihen dhe t’i çmojnë njohuritë, aftësitë dhe talentet e tyre në fusha të ndryshme, ata ndjejnë se janë të rëndësishëm, zhvillojnë ide për veten, dhe kryejnë me sukses aktivitetet ditore.

Në një thënje të Mohandas Karamchand Gandhi, thuhet se: “Nëse tregohesh i sjellshëm, nuk do të thotë se je i dobët. Kujtohu, që nuk ka më të butë se uji, por forca e tij thyen edhe shkëmbinjtë më të fortë”.

Disiplina pozitive është një element i mësimdhënies së aplikuar dhe rezulton efektive në lidhje me klasën e nxënësit. Përdorimi i teknikave pozitive nga mësuesi motivon nxënësit të marrin pjesë në diskutime, të japin argumente, të përdorin me lehtësi komunikimin dhe të përballen më thjeshtë me probleme e vështirësi. Kjo formë disipline është produktive, vendos bazat për një zhvillim konjitiv të shëndetshëm dhe krijon kushtet për një marrëdhënie të konsoliduar mes mësuesit dhe nxënësit.

 

Add Your Comment