Fëmija nuk flet mirë akoma? Çfarë të bëjnë dhe çfarë të shmangin prindërit. Ertiola Lugji,logopede

Si të inkurajojmë të folurit, në kushtet e shtëpisë?

Një prej shqetësimeve kryesore të prindërve është leksiku i varfër i fëmijës, gabimet sintaksore, artikulimi jo i saktë i fjalëve dhe shumë problematika të tjera, të cilat lidhen me komunikimin. Por, sa të vetëdijshëm janë prindërit që ata janë aktori kryesor në të mësuarit dhe edukimin e të folurit te fëmija i tyre?

Pa i dhënë ende përgjigje kësaj pyetjeje, ju ftojmë të lexoni paragrafët e mëposhtëm. Aty do të gjeni këshilla rreth disa sjelljeve të të folurit nga ana e prindërve; sjellje, të cilat duhen përforcuar ose evituar.

 

Çfarë të përforconi?

1.Modeloni:

Çdo fëmijë e merr modelin gjuhësor në ambjentin familjar. Ky model do t’i mësojë të voglit tuaj bazat e komunikimit, prandaj, këshilla është që ju të jeni shembulli më i mirë i fëmijës tuaj. Flitini vogëlushëve me ton normal, përdorni fjalë që përshtaten me zhvillimin e fëmijës tuaj, mos e holloni zërin, eleminoni të folurën “bebe”, artikuloni me qartësi.

2.Zgjatni

Shtojini fjalë asaj që thotë fëmija juaj. Në këtë mënyrë, ju keni kontribuuar në zgjerimin e leksikut të vogëlushit tuaj, por edhe i keni dhënë mesazhin se ju i kushtoni rëndësi asaj që ka për të thënë i vogli juaj. Marrim një shembull: nëse fëmija juaj thotë “makina”, ju thoni pas tij/saj “makina blu” ose “ecën makina”.

3.Prisni

Jepini mundësi fëmijës që të shprehet sipas ritmit të tij natyral të komunikimit. Jo të gjithë fëmijët janë të zhdërvjellët në të folur, prandaj respektoni limitet e komunikimit të të voglit tuaj. Mbi të gjitha, ASNJËHERË mos plotësoni fjalinë e fëmijës tuaj. Nëse vogëlushi juaj ngec, ju e drejtoni me pyetje për të shprehur deri në fund mendimin e tij/saj.

4.Përsëritni

Pas çdo fjale apo fraze të thënë nga fëmija juaj, ju e përsërisni, qoftë në formë pyetjeje, qoftë si fjali pohore. Rëndësia e këtij veprimi lidhet me faktin që fëmija juaj ka nevojë të ndihet i dëgjuar dhe të ketë vëmendjen tuaj. Kjo nxit më tepër ndërveprimin mes fëmijës dhe mjedisit rrethues.

5.Përgjigjuni

GJITHMONË përgjigjuni pyetjeve që ju drejton fëmija juaj. Kjo gjë do ta ndihmojë të ndërtojë bazat për bashkëbisedim, por njëkohësisht, do ta nxisë të voglin tuaj të bëjë sa më shumë tentativa në komunikim.

 

Çfarë të shmangni?

1.Etiketimet

Një prej veprimeve që bëjnë më shpesh prindërit, është të emërtuarit e objekteve për fëmijën e tyre ose bërja e pyetjes “Çfarë është kjo?”. Edhe pse kjo nuk është një praktikë e gabuar, do të ishte mirë të evitohej përdorimi i shpeshtë i saj, sidomos në rastet kur fëmija e di përgjigjen. Kjo bëhet me qëllimin që të folurit të mos bëhet monoton për të voglin tuaj. Gjithashtu, kujtojmë dhe faktin se komunikimi njerëzor nuk bazohet në etiketime, por është më kompleks.

2.Thuaj “….”

Nëse doni të modeloni një fjalë apo një shprehje për vogëlushin tuaj, veproni kështu: në fillim, thuajeni ju, pastaj prisni që fëmija ta përsërisë pas jush. Është në rregull edhe nëse i vogli juaj nuk e përsërit fjalën pas jush, por asnjëherë mos ju drejtoni fëmijëve me “thuaj qeni”(shembull). Lëreni fëmijën të vendosë vetë momentin dhe mënyrën si do ta thotë fjalën/frazën model.

3.Pyetjet

Komunikimi nuk ekziston vetëm në formatin pyetje-përgjigje. Mundohuni të shmangni pyetjet e njëpasnjëshme. Ka mënyra të shumëllojshme për të shprehur mendimin, për të hyrë në bisedë, për të mësuar diçka të re. E rëndësishme është që vogëlushi juaj të mundet të krijojë një bisedë të lirë, pa u ndikuar nga ndërhyrjet e bashkëbideduesit.

4.Presioni

Të folurit është një aftësi që nuk vjen natyrshëm tek çdo fëmijë, prandaj sigurohuni që të mos i ushtroni presion të voglit tuaj që të flasë. KUJDES, ne duam që fëmija të dëshirojë të flasë, prandaj duhet të tregohemi mirëkuptues dhe të duruar.

5.Nervozizmi

Ndodh që të frustroheni kur fëmija juaj nuk po zhvillohet në të folur me të njëjtin ritëm si bashkëmoshatarët e tij/saj. Ky është një reagim mëse normal dhe i natyrshëm, POR përpiquni që vogëlushi juaj të mos e shohë këtë. Kjo, pasi ne duam që të mësuarit e të folurit të jetë një proces sa më i këndshëm, argëtues dhe atraktiv për të voglin tuaj.

 

Shpresoj, që pasi të keni lexuar këtë artikull, të keni gjetur përgjigjen e pyetjes në hyrje. Mbi të gjitha, ju do të kuptoni se sa të çmueshëm, të pazëvendësueshëm  dhe ndikues jeni në zhvillimin gjuhësor të fëmijës tuaj.

Add Your Comment