Hikikomori, vetmia dhe depresioni i botës moderne.

Nga Sebastian Zonja, gazetar 

Hikikomori

Vetmia dhe depresioni po bëhen dy nga sëmundjet e mëdha të botës moderne. Thoshte në një intervistë të tijën një djalosh i fisit Tuareg në Sahara, që në gjuhën vendase do të thotë “vetmitarët”, se kishte ndjerë një pështjellim të madh kur kishte shkuar për të studiuar në Francë. Kur isha atje, – thotë djaloshi, – të gjithë shkonin me vrap diku. Gjithë ditën e natën e njëjta gjë. Ashtu ne rendim vetëm kur ka stuhi shkretëtire, jo përherë.
Rendim shpejt për të realizuar ëndrrat, por bota është më gri prej ëndrrave të thyera.
Ngjan se në këtë pjesë moderne të botës, apo mund t’i themi edhe postmoderne, është tretur çdo lloj kundërtie mes së bukurës dhe të shëmtuarës. E trishtë që e bukura shijohet veç në porcione të shkurtra kohore dhe rrallë. S’ka më kohë për një Shostakoviç apo pak Bergson.

Të qenit i famshëm dhe të qenit e përfolur janë e njëjta gjë. Thjesht përkëmbehen. Miti i seksualitetit që ngriti Frojdi dhe Fukoja tani i ka lënë vendin Dukjes. S’ka më zona private në modernitetin e lëngët shkruante sociologu Z. Bauman vite më parë. E parapa këtë fenomen së bashku me Roberto Espositon. Thua janë shkallmuar virtytet, dhe hadithi i profetit Muhamed ‘Po s’pate turp, të gjitha të lejohen’ aktualizohet më shumë se kurrë.

Këtë javë Japonia ka caktuar një “Ministër të Vetmisë” për të hartuar politika që të zvogëlojë vetminë dhe izolimin shoqëror midis banorëve të saj. Vendi vuan nga rritja e numrit të vetëvrasjeve, shkruan “Japan Times”.

“Gratë vuajnë nga izolimi më shumë se burrat, dhe numri i vetëvrasjeve është në një trend në rritje,” tha Suga Sakamoto në një konferencë shtypi, më 12 shkurt, kur u njoftua ministria e re, sipas “Japan Times”.
Vetmia, depresioni dhe vetëvrasjet kanë qenë prej kohësh një çështje shqetësuese në Japoni. Ata kanë një fjalë, “hikikomori”, për njerëzit që jetojnë në izolim ekstrem shoqëror.

Japonezët kanë robote të shumtë nëpër shtëpi për të bërë seks, për të bërë muhabet, apo edhe një thjesht për të shtrënguar duart. I blejnë robotet që ‘t’u bëjnë shoqëri’.
Në tetor, më shumë njerëz vdiqën nga vetëvrasja sesa kishin vdekur nga COVID-19-a në Japoni përgjatë gjithë 2020-ës.
Australia gjithashtu po konsideron krijimin e një pozicioni të ngjashëm.

Add Your Comment