Covid 19, të rinjtë të fiksuar pas pamjes fizike

Prej një kohe të gjatë tashmë, adoleshentët kanë qëndruar në shtëpi më tepër se zakonisht, për shkak të pandemisë Covid 19. Si fillim ishte karantina totale, e më pas kufizimet në orare, dalje, mbyllja e shumë ambienteve ku mund të argëtoheshin. E ndërsa prindërit përfituan nga kjo kohë për të eksperimentuar me receta të ndryshme, të rinjtë gjithnjë e më tepër po kthenin vëmendjen nga format e tyre fizike. Është parë një rritje e numrit të djemve që kryenin aktivitet fizik në shtëpi si dhe e vajzave që nisën dietën me kalori defiçit.

Rezultatet e një sondazhi

Kjo është panorama që del nga një sondazh i kryer nga Eurodap, Shoqata Evropiane për Çrregullime Paniku, sipas së cilës shumë të rinj nuk i janë nënshtruar tundimeve gastronomike, por, përkundrazi, kanë bërë gjithçka për të qëndruar në formë, shpesh duke kaluar në “fiksim”. Rezulton se 40% e vajzave kanë ndjekur dieta të rrepta me qëllim arritjen e masës “XS” në rroba, ndërsa e njëjta përqindje e meshkujve janë angazhuar në stërvitje rraskapitëse për të rritur masën muskulare. Pavarësisht nga gjinia, të rinjtë, megjithëse ishin të vetëdijshëm për rreziqet e dietave drastike ose trajnimit të tepruar, nuk i morën parasysh ato aspak, pasi përpjekja për të arritur një përsosmëri imagjinare fiton mbi gjithçka.

Rreziqet e metodave në kushte shtëpie

Në shumicën e rasteve, 67%, të rinjtë pranojnë se nuk janë drejtuar tek një profesionist për një plan ushqimi adekuat ose për një trajnim të duhur, por janë drejtuar vetë duke kërkuar në internet ose duke kërkuar këshilla nga miqtë.

Shpesh prindërit nuk dyshojnë

Prindërit, nga ana e tyre, duket se nuk janë të vetëdijshëm për qëllimet e fëmijëve dhe, pjesërisht, duken të pavëmendshëm për këtë çështje. Ndonjë këshillë për ta? Kushtojini vëmendje çdo ndryshimi në zakonet e të ngrënit ose të sportit të fëmijëve tuaj dhe mos e nënvlerësoni kurrë shfaqjen e simptomave depresive ose sjelljeve obsesive, siç janë numërimi i kalorive në mënyrë të vazhdueshme.

Si gjithmonë, është thelbësore të jepni një shembull të mirë, si në mënyrën e të ushqyerit, ashtu edhe në aktivitetin fizik dhe të mos i gjykoni fëmijët tuaj, por të përpiqeni t’i kuptoni ata.

Add Your Comment