Vlerësimi logopedik: Çfarë duhet të dinë prindërit?

Zhvillimi i të folurit dhe komunikimit është një nga hallkat e zhvillimit të përgjithshëm të fëmijës. Prindërit nisur nga shqetësimet në lidhje me fëmijën e tyre i drejtohen specialistit logoped për një vlerësim të detajuar të zhvillimit gjuhësor.

Çfarë duhet të dinë prindërit para se të paraqiten për vlerësimin logopedik të fëmijës së tyre?

1. Logopedi/ja do t’ju drejtojë një sërë pyetjesh lidhur me anamnezën familjare, historinë e periudhës gjatë shtatzënisë dhe lindjes, zhvillimin fizik të fëmijës suaj, ecurinë e të folurit deri në momentin që ju paraqiteni për vlerësimin si dhe historinë tuaj familjare të të folurit.
Është e rëndësishme ti jepni sa më shumë informacion logopedit/es me qëllim që të ketë një tablo më të qartë të zhvillimit të fëmijës. Si dhe të vendosë diagnozën e saktë, të cilën do t’ua komunikojë në fund të vlerësimit.

2. Logopedi/ja mund t’ju referojë për disa konsulta me specialistë të tjerë si mjeku ORL, neurologu, fizioterapisti, psikologu, audiologu, terapisti okupacional etj. Mos i anashkaloni, pasi çdo vlerësim është i rëndësishëm për të përcaktuar jo vetëm diagnozën e saktë, por gjithë programin terapeutik.

3. Logopedi/ja mund t’ju këshillojë të ndiqni disa këshilla apo të realizoni disa aktivitete në shtëpi, apo në ambientet e kopshtit ose shkollës. Edhe nëse logopedi/ja nuk ju komunikon diçka të tillë, pyeteni ju, pasi është e rëndësishme që të gjithë së bashku të ndihmojmë në mirëqenien e fëmijës.

4. Mos hezitoni të kërkoni një mendim profesional të dytë nëse kini ende dyshime. Bëni më të mirën tuaj të gjeni terapistin/en e duhur për fëmijën tuaj. Është e rëndësishme që si ju dhe fëmija juaj të keni një marrëdhënie të fortë besimi me logopedin/en.

5. Shkoni të përgatitur në vlerësimin logopedik. Bëni regjistrime zëri ose video, pasi mund të ndodh që fëmija të shmang të folurin gjatë vlerësimit si pasojë e një sërë faktorësh. Në këtë mënyrë ju po e ndihmoni logopedi/en të kuptojë shqetësimet tuaja në lidhje me të folurin e fëmijës.

Te Logopedi vjen me një projekt nëpërmjet formularëve online “Vlerësimi Logopedik sipas moshës së fëmijës” në Google Forms, të cilat janë në dispozicion të prindërve për të marrë një informacion paraprak profesional në lidhje me zhvillimin gjuhësor dhe të folurit të fëmijës së tyre.

Për linket e formularëve mund të na kontaktoni në:
Facebook Te Logopedi
Instagram @te.logopedi
Whatsapp: 0699956490

Logopede Klaudia Sinani 

Add Your Comment