Sfida e dygjuhësisë
Një nga shqetësimet më të mëdha të prindërve sot, është ndikimi i një gjuhe të dytë në të folurin e fëmijës.
Shpesh dëgjojmë fraza si: “Po, fëmija im ka mësuar nga TV alfabetin/numrat në anglisht por nuk i thotë në shqip” ose si “Kur luan në telefon e hap vetë
çfarë do në YouTube, por nuk di të më thotë ma dua ujë”.
Mësimi i një gjuhe të dytë, të tretë etj, nuk ndikon negativisht në zhvillimin e të folurit të fëmijës, përkundrazi ka një ndikim pozitiv në zhvillimin konjitiv dhe të të folurit. Kjo bazuar në shumë studime të realizuara në vendet e zhvilluara, të cilat rekomandojnë që fëmija të ekspozohet ndaj një gjuhë tjetër që në moshë të hershme.
A jemi vërtet duke e ekspozuar fëmijën ndaj mësimit të një gjuhe të re?
Fëmijët mësojnë fjalë dhe zhvillojnë aftësitë e tyre gjuhësore duke ndërvepruar me të rriturit.
Në fakt, televizori, telefoni, qoftë dhe ato që konsiderohen si programe edukuese nuk e ndihmojnë fëmijën (sidomos fëmijët nën 2 vjeç) të mësojë një gjuhë të re.
Për të mësuar gjuhën, fëmijët kanë nevojë të dëgjojnë dhe përfshihen në biseda reale dhe jo të qëndrojnë para ekranit. Kjo vlen jo vetëm kur duam t’ i mësojmë një gjuhë të re, por dhe për gjuhën mëmë.
Prindër, ju mund t’i mësoni fëmijës suaj një gjuhë të re, por jo duke e lënë para ekranit. Ekrani është shkaku i problemeve të të folurit dhe komunikimit te fëmija juaj, jo ekspozimi ndaj një gjuhe të re.
Prandaj, ju rekomandojmë gjithmonë 0 ekran deri në moshën 2 vjeç dhe kohë të limituar për moshën 3-5 vjeç.
Uluni së bashku sy më sy, thuajani fjalët që do i mësoni në gjuhën mëmë dhe gjuhën e re që keni zgjedhur t’i mësoni fëmijës, duke i shoqëruar me gjestet dhe objektet përkatëse për t’ia bërë sa më të lehtë procesin e të mësuarit. Kështu po i dhuroni fëmijës suaj një gjuhë të dytë të shëndetshme duke mos dëmtuar zhvillimin e të folurit dhe komunikimit.
Klaudia Sinani
“Te Logopedi”, Studio Logopedie, Sarandë
Kontakt: 0699956490