Rivaliteti motër-vëlla, të vërteta dhe mite

Një prej dinamikave më të rëndësishme në familje është raporti mes fëmijëve, pra mes motrave e vëllezërve. Mënyra sesi i ndërtojmë këto marrëdhënie që herët në vegjëlinë tonë është një tregues i rëndësishëm edhe i mënyrës sesi më vonë në jetë do të ndërtojmë dhe marrëdhëniet me të tjerët, sesi do të pozicionohemi në raportet shoqërore, familjare dhe me fëmijët tanë. Marrëdhënie të mira e të ngrohta me motrën apo vëllain janë një mbështjetje e përhershme, përkrahje pa kushte, bashkëpunim e dashuri e madhe.

Megjithatë, ka raste kur nuk funksionon kështu, e për hir të së vërtetës shpesh fëmijët që të vegjël mund të jenë xhelozë për njëri-tjetrin, sidomos kur janë me një diferencë të vogël moshe. Janë disa dinamika që zhvillohen kryesisht në mënyrë të pandërgjegjshme, pasi fëmijët janë në një garë të vazhdueshme për të fituar vëmendjen e prindërve, për të qenë fëmija i parapëlqyer e për të marrë aprovim, lëvdata e shpërblime prej prindërve. Kështu që, personi më i afërt me të cilën fëmijët e kanë këtë “luftë” është vëllai apo motra.

Gjithashtu, radha e lindjes është një tjetër faktor ndikues kur vjen puna tek marrëdhëniet familjare. Në përgjithësi, fëmija i parë është ai më i përgjegjshmi e më i rregullti, me një sens lideri dhe përkujdesje për të tjerët, duke qenë se është më i madhi. I dyti është ai i cili mund të jetë më rebel, i lirë dhe ka prirjen për të zhvilluar aftësi e talente të ndryshme prej të parit, por ka dhe raste që e konsideron fëmijën e madh si model dhe shembull për t’u ndjekur. Sipas studimeve, konsiderohet se personat që kanë motër/vëlla të gjinisë së kundërt me tyren, janë më të mirë kur vjen puna për të ndërtuar marrëdhëniet ndërpersonale dhe në cift.

Pra, është e qartë për të gjithë ne se marrëdhëniet mes fëmijëve që në vegjëli janë domethënëse dhe mund të thuhet me bindje se janë marrëdhëniet më afatgjata që secili prej nesh ka në jetë.

Megjithatë, si rezultat i karaktereve të ndryshme, perceptimet e këtyre marrëdhenieve dallojnë nga njëri fëmijë tek tjetri. Ka fëmijë, të cilët dhe kur rriten vazhdojnë të mendojnë se prindërit kanë qenë të padrejtë në edukimin e secilit e nuk janë ndarë gjërat në mënyrë të barabartë, ku njëri është përkrahur, trajtuar, ndihmuar apo vlerësuar më shumë sesa tjetri. Në këtë mënyrë, këto ndjenja pakënaqësie e rivalitetit mbarten edhe më vonë në jetë, duke bërë që marrëdhëniet mes motrave e vëllezërve të mos jenë asnjëherë plotësisht të mira e transparente, por vazhdojnë të kenë rezerva mes tyre.

Sido që të jenë këto marrëdhënie, ka disa mënyra sesi mund të lëvizim prej konfliktit të vazhdueshëm dhe të bëjmë përpara, duke përmirësuar kështu marrëdhënien tonë me motrën/vëllain.

Fillimisht, duhet të pranojmë se ka dicka që nuk shkon. Vetëm në këtë mënyrë, duke pranuar problemin, do të jemi në gjendje të marrim masa e ta rregullojmë atë.

Duhet të pyesim veten se cili është qëndrimi që ne kemi mbajtur, si kemi ndikuar që marrëdhënia me vëllain/motrën të jetë ajo që është? Sepse dihet, që asnjëherë shkaktari apo fajtori nuk është një i vetëm.

Për të zgjidhur një marrëdhënie që nuk shkon mirë e për të përmirësuar atë që nuk shkon, është e nevojshme që të vëmë theksin mbi pozitiven e atë që na pëlqen nga vëllai/motra. Duke vlerësuar në këtë mënyrë, më shumë sesa duke qortuar dhe kritikuar, mund të jetë një shtysë e mirë për t’i dhënë tjetër drejtim marrëdhënies.

Mund të bëjmë lëvizjen e parë, të jemi ne vetë që të ballafaqohemi me problemin e t’ja shprehim atë që mendojmë vëllait/motrës, duke mos mbajtur mëri apo inate, sepse kjo vetëm mund ta vonojë zgjidhjen e problemit.

Të jemi të duruar, të kemi besim, shpresë dhe realistë, janë të tjerë elementë që mund të na ndihmojnë kur vjen puna për të rregulluar raportin me motrën/vëllain. Mbase nuk do mund të jemi asnjëherë 100% shokë të ngushtë, por ajo që mbetet e rëndësishme është të kemi një klimë ndjenjash pozitive, duke pasur përherë parasysh sa të rëndësishme janë këto marrëdhënie në jetën tonë dhe mbi mënyrën sesi ia edukojmë fëmijëve.

Add Your Comment