Djali u merr gjëra shokëve të klasës

Ndodh shpesh që fëmijët apo adoleshentët t’u marrin gjëra bashkëmoshatarëve të tyre duke filluar që nga goma, lapsi dhe kur prindërit i pyesin, justifikohen duke thënë “ia mora borxh”, ama nuk ua kthejnë më.

Është e kuptueshme që për prindërit kjo është një përvojë aspak e bukur. Por në radhë të parë duhet të kenë shumë të qartë se nuk është fjala për edukim jo të mirë, apo për shembuj negativë që fëmija i ka parë në familje. Vjedhjet e vogla dhe gënjeshtrat kanë tjetër kuptim dhe rëndësi në fëmijëri, e tjetër në adoleshencë. Në rastet se këto sjellje kanë nisur që në fëmijëri dhe tani po vazhdojnë, mund të jetë i përshtatshëm takimi me një psikolog, për të kuptuar në mënyrë më specifike dhe të thellë shkaqet dhe për të ndërhyrë më efektivisht.

Pas sjelljeve të tilla, gënjeshtrave dhe vjedhjeve të përsëritura, qëndrojnë disa motive. Mund të jetë nevoja e fëmijës për të mbushur në njëfarë mënyre boshllëqet emotive duke zgjedhur të tërheqë vëmendjen e prindërve në këtë mënyrë të papërshtatshme; mund të bëhet fjalë për ndjenja pasigurie apo vetëvlerësimi të ulët; nevojë për të pasur atë që shokët/shoqet kanë, apo një shprehje e papërshtatshmërisë sociale që fëmija apo adoleshenti ka. Mund të jetë fjala dhe për një formë rebelimi që djali shfaq kundrejt autoritetit, prindit dominues apo ndonjë njeriu tjetër në jetën e tij që përfaqëson figurën drejtuese dhe komanduese.

Përballë fëmijës apo adoleshentit dhe këtyre sjelljeve, është e rëndësishme që prindërit të dinë të ruajnë qetësinë dhe të dialogojnë me fëmijën apo adoleshentin që ka këtë sjellje.

Kritikat dhe qortimet nuk e ndihmojnë aspak përmirësimin e situatës, përkundrazi. Komunikimi dhe biseda do të ndihmojnë për të kuptuar se pse e ka kryer një veprim të tillë, sepse pas cdo sjelljeje të tillë të papërshtatshme fshihet një domethënie më e madhe ke, që e tejkalon sigurisht vlerën material të vjedhjes. Ka disa gjëra që mund të bëhen konkretisht për të ndryshuar këtë sjellje tek fëmija juaj. Në radhë të parë, të mësohet t’ja kthejë atij/asaj që ja ka marrë. T’i shpjegohen përgjegjësitë e këtij veprimi, në mënyrë që të parandalohen veprime të mëtejshme edhe më të rënda. Jepini një ndëshkim pozitiv, dmth që të kryejë një veprimtari në shtëpi apo të ndihmojë dhe të angazhohet me aktivitete të tjera. Kaloni më shumë kohë cilësore me të dhe nxiteni të merret me sporte apo të zhvillojë dëshira dhe pasione të tij.

Add Your Comment