Shkëputja dhe rikthimi i fëmijës në çerdhe për shkak të virozave, analizë psikologjike nga Lorela Garuli

Periudha e vjeshtës është koha kur shumë nëna vendosin të çojnë për herë të parë vogëlushët e tyre në çerdhe, gjë që shoqërohet me ankthin e ndarjes, pasiguritë nëse kanë bërë zgjedhjen e duhur, frikën për përshtatjen e fëmijës me ambientin e ri, edukatoret, bashkëmoshatarët e shumë dilema të tjera. Por, duke qenë hera e parë që fëmija ekspozohet në një ambient me kaq shumë njerëz, imuniteti i tij jo fort mirë i krijuar mund të shkaktojë që vogëlushi të preket nga viroza të stinës. Shëndeti i fëmijës padyshim përbën shqetësimin kryesor të prindërve, kryesisht nënave të cilat vënë në pikëpyetje veten nëse po bëjnë diçka gabim. Nga ana tjetër, fëmijës i duhet të qëndrojë sërish në shtëpi derisa të marrë veten,  gjë që mund të shkaktojë pikëpyetje të tjera te prinderit për efektet psikologjike që ka shkëputja te fëmijët, si do të ripërshtatet sërish me një ndryshim të rutinës etj.

Për këtë kemi marrë një prononcim të psikologes Lorela Garuli, e cila shpjegon me detaje çdo paqartësi të prindërve lidhur me këtë tematikë dhe gjithë ulje-ngritjet që e karakterizojnë.

Mosha ideale e fillimit të çerdhes

Në radhë të parë do të doja të specifikonim se cila është koha e duhur për të nisur çedhen. Ka pikëpamje dhe teori të ndryshme, bazuar mbi etapat e zhvillimit të fëmijës, por konsiderohet që mosha ideale është mes 6 muajsh dhe 18 muajsh. Pëprara gjashtë muajve, konsiderohet shkëputja shumë e shpejtë dhe mund të ketë efekte negative në lidhjen prind-fëmijë, ndërsa rreth vitit të parë të jetës është moshë e përshtatshme, 18 muajsh akoma dhe më shumë.

Ndryshimet që pëson fëmija

Në varësi të muajve që fëmija nis çerdhen, të kohës dhe pranisë së virozave të stinës apo jo, sigurisht që mund të ketë situata që e komplikojnë dhe e bëjnë trajektoren e të mësuarit me institucionin e çerdhes të komplikuar e me ulje- ngritje dhe jo aq lineare. Por, ky është një proces, është një fazë, që si gjithë të tjerat duhet kaluar, domethënë edukimi dhe rritja nuk është një rrugë e drejtë, ka shumë lëvizje të paparashikuara.

Reagimi i prindërve

E rëndësishme është në këto situata, që prindi, nëna kryesisht, të mund të ruajë qetësinë, sepse emocionet e prindërve pasqyrohen te fëmijët. Nëse ajo trembet, nëse është ankthioze, nëse frikësohet shumë, do ia përcjellë fëmijës këtë gjë. Edhe nëse nuk e thotë me fjalë, atmosfera e ankthit, e stresit ndihet dhe përcillet shqetësimi. Kështu që, në radhë të parë të qëndrojë e qetë sepse virozat, sëmundjet, janë elementë fizikë që të gjithë fëmijët do t’i kalojnë dhe në këtë sens, nëna duhet të jetë e qetë që të përpiqet ta rimësojë fëmijën me çerdhen.

Ripërshtatja e fëmijës

Çerdhja rreth kësaj moshe, është një mënyrë shumë e mirë, ku fëmija zhvillohet në mënyrën e socializimit, psikologjisë së tij dhe nëpërmjet lojrave që mund të zhvillojë me bashkëmoshatarët në atë kohë. Aftësitë e fëmijës për t’u ripërshtatur janë shumë të mëdhaja në këtë moshë dhe me këtë dua të them që prindërit  mund të shqetësohen me të drejtë, por nuk është e vërtetë që fëmija do shkëputet dhe do ta ketë të vështirë të rikthehet. Mundet që t’i ribëhet tranzicion kjo fazë, t’i duhet të rimësohet, por janë periudha kalimtare. Mund t’i duhet kohë të rimësohet, por do të rimësohet shpejt, pasi aftësitë e përshtatjes janë shumë të mëdhaja.

Marrë nga: pernenat.al

Add Your Comment