Vaksinimi i detyruar i studentëve ka ngjallur shumë pakënaqësi e kundërshti si në radhët e tyre, edhe në radhët e profesionistëve të ndryshëm si ata të shëndetit fizik, ashtu edhe ata të shëndetit mendor, apo të çështjeve sociale.
Për këtë temë u diskutua në emisionin e mbrëmshëm “Quo Vadis” në Vizion Plus duke i dhënë zë të gjitha palëve.
Ne do të ndalemi në aspektin psikologjik të situatës, ndikimit që ka tek të rinjtë imponimi i kryerjes së vaksinës dhe efektin e kundërt që jep në fakt në shkallën e përgjithshme të të vaksinuarve.
Psikologia Lorela Garuli vuri theksin tek bindja dhe jo detyrimi i të rinjve, pasi në këtë formë edhe numri i personave të vaksinuar do të ishte më i lartë.
Fjala e plotë në emisionin “Quo Vadis”
Situata ka qenë kaotike. Nëse do ta shikoja klinikisht – profesionalisht, jo vetëm çrregullimet e ankthit, por edhe gjendjet e ankthit apo stresante janë në një numër shumë të lartë, si rrjedhojë e gjithë situatës, e ngarkesës dhe studentët gjatë gjithë kohës kanë pasur pakënaqësinë e mësimit online, pavarësisht se akademikisht është dhënë gjithçka. Unë kam shpjeguar njësoj, si po të shpjegoja edhe në auditor. Megjithatë, pakënaqsia ka qenë shumë e madhe, sepse për studentin auditori nuk është vetëm të shikojë pedagogun përballë dhe jo nga monitori, por është çështje statusi. Pothuajse të gjithë mund të biem dakord që vitet e universitetit janë ndër më të bukurit. Është çështje statusi fakti që janë të gjithë bashkë, fakti që do bëjnë një projekt apo detyrë bashkë, fakti që ata që janë nga rrethet mund të vinin në Tiranë e të ndiqnin auditoret. Çështja është që ka ndryshuar gjithë stili i jetesës. Mua më është dukur shumë absurde që mësimi të vazhdonte online në një kohë që këta studentë rrinin gjatë gjithë kohës bashkë në kafene. Edhe tani, në gjithçka i janë rikthyer normalitetit, edhe për aktivitetet argëtuese.
Bindja dhe jo detyrimi
Kam përshtypjen që mënyra e të vaksinuarit me detyrim, që është kthyer në imponim, nëse flasim në terma të psikologjisë sociale, apo të psikologjisë së masave, duhet të synojmë te bindja dhe jo te imponimi. Edhe studentët që folën më herët thanë “Nuk jam i bindur”. Tjetër gjë është argumenti dhe tjetër gjë është detyrimi.