Tipikisht është menduar gjithmonë dhe në bazë të studimeve, që kujtimet e para nuk datojnë përpara se fëmija të jetë tre vjeç. Megjithatë, ka një lloj dallimi. Pavarësisht që fëmija mund të mbajë mend në tre vitet e para të jetës, ajo që ndodh dhe që është e vërtetë, referuar edhe evidencave të fundit shkencore është që fëmija krijon kujtime përpara moshës 3 vjeçare.
Elementi gjuhësor
Por, është një komponent shumë i rëndësishëm, që duhet pasur parasysh kur flasim për kujtimet e hershme, që është gjuha. Zhvillimi gjuhësor është shumë i lidhur me kujtesën, do të thotë që në momentin që formohet gjuha, që materializohet dhe artikulohet mendimi, kujtimi strukturohet edhe me shumë në një kujtesë afatgjatë.
Dallimi mes kujtesës fëmijënore dhe asaj të të rriturve
Një element tjetër që bën dallimin mes kujtesës së të rriturve dhe të vegjëlve, është që nëse të rriturit kanë kujtesë afatshkurtër, kujtesë pune dhe kujtesë afatgjatë, fëmijët nuk e kanë kaq të ndarë, sepse mendja e tyre funksionon në një mënyrë të tillë që kujtimet e hershme, të dy viteve të para të jetës i fshin, i anashkalon, sepse i duhet trurit me shumë të mësojë aftësi të reja, që i nevojiten fëmijës për t’u zhvilluar dhe për t’u përshtatur. Kështu që, pavarësisht se kujtimet e kristalizuara mund të jenë të moshës 3-vjeçare, fëmija mban mend dhe memorizon edhe që në moshën dy vjeçare.
Si mund të ndihmojnë prindërit kujtesën e fëmijës?
Sigurisht që ka edhe ndryshime individuale, nga rasti në rast, por prindërit sigurisht që mund t’i ndihmojnë dhe mund ta fuqizojnë kujtesën e fëmijës duke folur me ta shumë, duke ia treguar ngjarjet, ndodhitë e rëndësishme të jetës së tyre, duke krijuar albume kujtimesh, sepse kështu e ndihmojnë kristalizimin e kujtesës. Kur fëmija është nga mosha 5-vjeçare e tutje, që hyn edhe në shkollë, i duhet që të mësojë koncepte të reja, mund të ndihmohet nëpërmjet teknikave të ndryshme të kujtesës. Por, të folurit mbi kujtimet dhe krijimi i imazheve, që zakonisht janë fotografitë, e ndihmon shumë kujtesën fëmijënore.