Si të ndihmojmë fëmijët me Çrregullime të Spektrit të Autizmit të flenë? 10 orientime për prindërit

Nga Mariglena Muci, pedagogji e specializuar

 

Gjumi është shumë i rëndësishëm për fëmijët. Të gjithë kanë nevojë për gjumë të mirë gjatës sepse ai ndikon në rritjen, zhvillimin dhe shëndetin e tyre. Fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit shfaqin shumë probleme me gjumin. Shpesh këto probleme ndikojnë tek ata dhe kjo bën që të shfaqin sjellje agresive dhe të papërshtatshme. Për këtë arsye është shumë e nevojshme t’i ndihmojmë fëmijët me ÇSA të bëjnë një gjumë sa më të mirë. Më poshtë po listoj disa mënyra sesi ju mund të ndihmoni fëmijën tuaj:

1. Krijoni rutinën e ditës

Të pasurit e një gjumi të qetë varet shumë nga ajo çfarë ke kaluar gjithë ditën. Veprimet, sjellja lodhja e fëmijës kontribuojnë në mënyrën se si ai fle gjatë natës. Për këtë arsye është e rëndësishme të ruani rutinën (orare dhe modele të caktuara). Kështu, zgjoni fëmijën tuaj çdo ditë në të njëjtin orar duke përfshirë dhe fundjavën. Në moment hapni dritaret ose dritën sepse ato shërbejnë si një sinjal që fëmija duhet të zgjohet dhe të vazhdojë ditën (por kjo varet nga lloji i spektrit të fëmijës, sepse ka disa që mund t’i besdisë). Gjithashtu, mundohuni t’i jepni fëmijës për të ngrënë në të njëjtat orare. Është shumë e rëndësishme të konsumohet mëngjesi, sepse ai i jep fëmijës energji për gjithë ditën. Po kështu është mirë që fëmija të aktivizohet në shkollë, ose nëse nuk është akiv, bëjini 30 minuta çdo ditë aktivitet sportiv. Por duhet që kjo të mos bëhet para gjumit, sepse shpesh lodhja i besdis dhe nuk i lë të flejë. Aktivitet sportive duhet të behën gjatë paraditës ose në drekë. Gjitthashtu është mirë që fëmija të pushojë pak në drekë, por nëse fëmija juaj është mbi 5 vjeç mos e lini të flejë shumë pasdite, sepse mund ta larë pa gjumë natën.

2. Eliminoni zhurmat e shëtpisë

Për të gjithë zhurmat para gjumit bëhen vërtet shqetësuese. Tek fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit zhurmat e shtëpisë si: televizori me volum të lartë, muzika, zhurma e centrifugës së lacatriçes etj janë vërtet shqetësuese, duke e bërë të pamundur që ata t’i zejë gjumi. E si të tillë, duk mos arritur të çlodhen dhe të fitojnë energji të reja, ata ndihen shumë të lodhur. Lodhja i irriton dhe shpesh i bën dhe agresivë. Prandaj është shumë e rëndësishme t’i shmangni këto zhurma.

3. Shmagni ngrënien e ushqimeve ose pirjen e lëngjeve që ndikojnë tek gjumi

Ushqimi dhe lëngjet që i jepni fëmijës suaj ndikojnë shumë në gjumin që ata bëjnë. Pediatrit theksojnë se nëse fëmija konsumon një pije me kafeinë rreth orës 15:00, kimikati mund të qëndrojë në trup deri në tre të mëngjesit, duke i sjellë pagjumësi. Këshillohet që para gjumit fëmija të pijë ujë ose një çaj. Gjithashtu, shmagni ngrënien e çokollatave ose ëmbëlsirave. Mundohuni që fëmija t’i përfundojë detyrat e shtëpisë 3-4 ore para gjumit, diku rreth orës 17:00-18:00. Arsyeja qëndron në faktin sepse fëmijët nga lodhja ose vështirësia që hasim me to, mund të shkojnë në shtrat të shqetësuar dhe të stresuar. Kjo i bën ata, që të mos flejnë qetë.

4. Mbani dhomën e gjumit të freskët

Mjedisi apo kushtet në të cilat ju flini janë shumë të nevojshme për një gjumë të mirë. Fëmija juaj mund të mos jetë në gjendje të tregojë nëse ka ftohtë apo jo, por ekspertët e gumit tregojnë se një dhomë gjumi e ftohtë ndihmon për të bërë një gjumë të qetë. Nëse fëmija ka ftohtë mund të shtoni batanijet. Nëse ai nuk i duron dot mbulesat e shumta atëherë mund të rrisni pak temperaturën e dhomës. Gjithashtu ëhtë e rëndësishme që dhoma të jetë e errët, e mbuluar me perde. Në dysheme të jetë i shtruar tapet, në mënyrë që mos dëgjohet kërcitja e dyerve.

5. Zgjidhni pizhama dhe mbulesa të rehatshme

Shpeshherë materialet përbërëse të pizhamave apo çarcafëve e mbulesave janë faktor ndikues në gjumin tonë. Ato jo vetëm mund të jenë alergjike, por shpesh bëhen edhe shqetësuese. Tek fëmijët me ÇSA, situata është edhe më delikate. Ata janë shumë të ndjeshëm ndaj nxehtësisë, materialeve shumë të trasha, të rënda, materialeve sintetike etj. Kështu duhet të bëni kujdes ndaj zgjedhjes duke shmangur ato që përmendëm më sipër. Gjithashtu edhe qepjet, zinxhirët, butonat, kopsat mund të jenë irrituese për fëmijët me ÇSA. Sindomos në rastet kur fëmijët janë joverbalë. Prandaj është e rëndësishme të jeni të kujdesshëm në përzgjedhjen e pizhamave, çarcafëve dhe batanijeve ose mbulesave për fëmijët tuaj.

6. Krijoni një rutinë para gjumit

Mundohuni të krijoni një rutinë qetësuese para gjumit me fëmijën tuaj. Ajo mund të nisë me:

Bërja e një dushi

Veshja e pizhamave

Shkuarja në tualet

Larja e dhëmbëve

Leximi i një libri

Dëgjimi i një muzike relaksuese

Kohëzgjatja e rutinës para gjumit duhet të jetë afërsisht 20-30 minuta. Dhoma duhet të jetë e qetë, e errët dhe e freskët. Të gjitha këto mund t’i paraqesni edhe në mënyrë vizuale, që fëmija ta ketë më lehtë memorizimin.

7. Krijoni një histori para gjumit

Për ta përforcuar më shumë rutinën e paragjumit, mund të përdorni një histori, për t’i treguar fëmijës rëndësisnë e gjumit. Këtë mund ta thoni thjesht, në formën e një përrallle dhe duke e shoqëruar me imazhe që shërbejnë si sinjale.

8. Përdorni terapi relaksuese

Nëse shikoni që fëmija juaj nuk ka gjumë dhe nuk u bindet, mundohuni ta qetësoni duke e relaksuar. Shpesh ankthi mund të jetë shkak i pagjumësisë së tyre. Ndihmojeni fëmijët tuaj me disa ushtrime relaksimi, të cilat ndikojnë në qetësimin e sistemit nervor. Këto janë:

Frymëmarrje e thellë

Teknika relaksimi të muskujve

Banjë e ngrohtë

Muzikë e qetë.relaksuese

Audiolibra/ose lexim i librave me zë jo shumë të lartë

9. Mësojeni fëmijën të flejë vetë

Shumë prindër të fëmijëve me ÇSA e kanë zakon të shtrihen pranë fëmijëve të tyre. Kjo i bën ata më të lidhur me fëmijën e tyre dhe fëmija ndihet më i sigurt. Por në fakt kjo nuk është një gjë e mirë për fëmijën, sepse mësohet gjithmonë me prindin, zakonisht nënnë. Nëse fëmija zgjohet natën dhe prindi nuk është aty, mund ta përjetojë shumë keq. Prandaj, është mirë që të përpiqeni ta mësoni atë të flejë vetëm.

10. Lëreni fëmijën të flejë vetëm

Siç e përmendëm edhe më lart është mirë që të filloni të shkëputeni nga fëmija juaj. Kjo bëhet gradualisht me rritjen e fëmijës, Fillimisht distancohuni nga fëmija juaj pasi ai të jetë shtrirë në shtrat, pastaj bëni vizita të shkurtra në dhomën e tyre. Ulni gradualisht sasinë e vëmendjes që drejtoni ndaj fëmijës, të folurit, kontaktit me sy, shprehjeve të fytyrës, gjatë kohës që rrisni distancën ndaj tij. Gradualisht fëmija do të mësohet dhe do të flejë vetë në dhomën e tij. Sigurisht, që ju mund të çoheni natën ta kontrolloni.

Gjithashtu, mos harroni të zbatoni këshillat e mësipërme për një gjumë të mirë. Ato janë këshilla të përgjithsme, por sigurisht ju do i përshtasni sipas spektrit të fëmijës suaj. Kështu, ju ndihmoni veten dhe fëmijën tuaj, për të bërë një gjumë të qetë.

Add Your Comment