Leximi është një proces shumë i gjerë që përfshin disa fusha si: alfabeti, fonia, njohja e fjalëve, drejtshkrimi, ndërgjegjësimi fonetik, të kuptuarit, fjalori, rrjedhshmëria etj. E si i tillë ai bëhet një proces i gjerë të mësuari.
Fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit shfaqin vështirësi kur bëhet fjalë për të mësuarit, e sindomos leximin. Vështirësia nuk qëndron në vetë të mësuarin, por në mënyrën se si, ai ndodh si proces. Kështu, duke qënë pjesë të spektrit, sfidat janë të ndryshme për çdo fëmijë. Disa fëmijë shfaqin interes kur dëgjojnë dikë duke lexuar ose treguar histori të ndryshme. Disa të tjerë fillojnë të lexojnë shumë herët dhe të shfaqin interes për tema të caktuara, duke dashur të mësojnë gjithçka që munden rreth tyre. Ndërsa disa fëmijë të tjerë mund të jetë mendimtarë vizualë, që do të thotë se ata mendojnë përmes imazheve dhe jo fjalëve. Fëmijë të tjerë mund të mësojnë më mirë nëpërmjet tingullit ose stimujve të prekshëm, e të tjerë mund të mos kenë interes fare.
Megjithatë, pavarësisht karakteristikave që shfaqin fëmijët, leximi i ndihmon në zhvillimin e gjuhës dhe aftësive sociale. Prandaj është e rëndësishme që të nxisim tek ata, të lexuarit, duke përdorur strategji dhe teknika të ndryshme për t’i ndihmuar, të mësojnë me efikasitet. Për këtë arsye, më poshtë listohen disa mënyra se si ju të ndihmoni fëmijët tuaj të lexojnë:
1. Filloni t’i nxisni fëmijët të lexojnë sa më herët
Për të gjithë fëmijët, nisja sa më herët e të lexuarit është një mënyrë shumë e mirë për të nxitur tek ata procesin e të mësuarit. Nëpërmjet leximit ata mund të zhvillojnë shumë aftësi të tjera që lidhën me gjuhën, komunikimin, vizatimin, të shkruarit, aftësitë sociale etj. Prandaj është shumë e rëndësishme nisja herët e leximit dhe ndarjes së librave sëbashku. Që në moshë të hershme 2.5-3 vjeç fillon të lexoni së bashku libra të ndryshëm dhe sindomos ata, për të cilët fëmijët shfaqin më shumë interes.
2. Lidheni leximin me rutinën e tyre të përditshme
Fëmijët me ÇSA e kanë shumë të rëndësishme rutinën. Ata duan të dijnë se çfarë do të ndodhë, cilat do të jenë aktivitetet e ditës, çfarë do të jetë ndryshe etj, pra u pëlqen të dijnë gjithçka. Ky parashikim i ngjarjeve i ndihmon ata, të ndihen më të sigurt dhe të kuptojnë qëllimin pse duhet ta bëjnë. Leximi rreth aktiviteteve të zakonshme mund ta ndihmojë fëmijën të interpretojë tekstin dhe ta lidhë atë me jetën e përditshme, psh. leximi i një libri para se të flejë, e ndihmon
fëmijën të kuptojë se është koha e gjumit. Ka libra të tjerë, që flasin se kur është koha për të ngrënë, për tu larë, për të luajtur etj. Leximi i tyre e ndihmon fëmijën të kuptojë rëndësinë e këtyre ritualeve të përditshme dhe të dijë se si duhet të sillet në secilën prej tyre.
3. Zgjidhni tema për të cilat fëmija ka interes
Shpeshherë fëmijët me ÇSA shfaqin një interes ose “ngjitje” eksesive drejt një teme të caktuar, pra fiksohen pas një teme, pas një objekti e të caktuar etj. Kështu nëse ata shfaqin interes vetëm për të, atëherë duan të dijnë gjithçka rreth saj. Psh ata mund të shfaqin interes për një subjekt të caktuar (dinosaurët), një veprim (renditja e lodrave), një objekt (lodra e preferuar), apo dhe një temë ose fushë më e gjerë (matematika) etj. Nëse ju vini re këtë interes, atëherë mund ta përdorni këtë si strategji për të nxitur leximin. Psh nëse vogëlushët pëlqejnë dinosaurët, lexoni një libër për to. Fillojeni me një libër të shkurtër, me fraza të shkurtra dhe sa më shumë imazhe. Duke ia përsëritur këtë do të kuptoni se fëmija nuk do të mjaftohet me aq, por do të kërkojë një libër tjetër, për të mësuar më shumë.
4. Zgjidhni elementët me të cilët mund të identifikohen
Fëmijët me ÇSA, kanë vështirësi të përballen me kontekste të reja dhe të panjohura. Për këtë arsye, është e rëndësishme që ju të zgjidhni histori me të cilat ata janë njohur ose identifikohen. Psh mund të zgjidhni libra që i përkasin moshës së tyre dhe që kanë personazhe që ata i njohin, libra që tregojnë anëtarët e familjes, vendet që vizitojnë (kopshti, shkolla, parku) ose aktivitete që praktikojnë (zgjohen, vishen, ushqehen, lahen) etj. Librat e personalizuar kanë një tërheqje të veçantë për lexuesin. Kur fëmija krijon personazhin e tij për të qënë protagonist dhe gjen veten në libër, kjo gjeneron identifikimin dhe e afron me situatat e përjetuara në libër. Kështu zgjohet tek ata dëshira për ta lexuar librin përsëri e përsëri duke inkurajuar leximin si proces dhe përmirësuar të mësuarin.
5. Ndihmojeni të kuptojë tekstin dhe të mësojë koncepte të reja
Si në shtëpi, kopësht apo shkollë fëmijët me ÇSA e kanë më të lehtë të mësojnë një koncept kur ia fillon me hapat bazë dhe gradualisht ecën me një renditje logjike. Kështu filloni me alfabetin fonetik, tingull-shkronjë. Mësojini duke përdorur shembuj fjalësh si: b- “babi” gjithmonë lidheni me objektet dhe elementet e jetës së tyre të përditshme. Më pas ata do të fillojnë të formojnë rrokje, të cilat mund t’ua mësoni mjaft mirë duke përdorur lojëra edukative. Pastaj, ata do të fillojnë të ndërgjegjësohen për formimin e fjalëve, frazave e fjalive. Është e rëndësishme të mbani udhëzime të drejtpërdrejta dhe objektive, sepse fëmijët me ÇSA kanë
vështirësi me konceptet abstratkte. Ndiqni një logjikë, duke nisur nga ajo që fëmija di tashmë, për të paraqitur një koncept të ri dhe më pas ta praktikoni atë. Kjo i ndihmon fëmijët të familjarizohen me atë që duhet të bëjnë, në mënyrë që të fokusohen në mësimin e aftësive të reja. Bëni pyetje, duke u bazuar tek pikat e forta të fëmijës suaj. Ata e kanë më të lehtë t’iu përgjigjen pyetje si : Kush e hëngri akulloren?, Çfarë bëri maçoku? etj. Gjithashtu, një rëndësi e veçantë duhet t’i jepet edhe kuptimit të fjalëve apo tekstit. Disa fëmijë mund të mos i kuptojnë disa fjalë, në këtë rast modifikojini ato psh “Kisha një parandienjë që do të ndodhte…”, këtë mund ta modifikoni duke i treguar një figurë se çfarë mund të ndodhë ose ia shpjegon që personazhi mendon se do vijë kjo ose ndodh ajo gjë. Përforconi fjalët që përdor fëmija, psh nëse ai thotë “Ua, një makinë”, ju përforcojeni duke e zgjeruar tekstin “Po është një makinë. Ajo është e kuqe. Ka katër rrota “ etj. Kur hasni një fjalë të re ndaloni dhe shpjegojani fëmijës, duke i treguar një imazh ose duke përdorur gjeste, intonacion për të demostruar fjalën psh foljen valëvitet, shpjegojani duke lëvizur dorë. Gjithashtu përdorni vazhdimisht përsëritjen e fjalëvë ose fjalët që rimojnë në tekst. Këto e ndihmojnë fëmijën në forcimin e fjalorit të ri. Po kështu nëse vini re, që pas kalimit të faqes, fëmija kërkon të flaës ose komentojë diçka, lërëni ta bëjë. Bisedoni së bashku dhe më pas kaloni në faqen tjetër.
6. Stimuloni shqisat e ndryshme
Të mësuarit është një process, që nuk duhet të kufizohet vetëm në një gjë, por të gjitha hallkat duhet të ndërthuren së bashku. Prandaj kur zgjidhni të lexoni me fëmijët, përdorni edhe shqisat si: shikimin, prekjen etj. Fëmijët që mësojnë vizualisht u pëlqen të shohin atë që po lexojnë, prandaj ëshët thelbësore që imazhet në libër të përputhen me tekstin. Në këtë mënyrë krijohet lidhja mes tekstit dhe imazheve, duke favorizuar zhvillimin e gjuhës. Fëmijët që mësojnë duke dëgjuar preferojnë të dëgjojnë udhëzimet me zë dhe më pas të diskutojnë atë që kanë mësuar psh përdorimi i librave zanorë, që fëmija ta dëgjojë gjatë kohës që shikon tekstin e shkruar, e ndihmon të kuptojë më mirë fjalën. Ndërsa fëmijë të tjerë mësojnë më mirë duke prekur ose manipuluar objektet. Psh nëse historia flet për një shtëpi, ndërtojeni atë me një kuti kartoni. Kjo do ta bëjë leximin më argëtues dhe më të kuptueshëm.
7. Shpërbleni progresin e fëmijës
Për çdo përparim që fëmija juaj bën në lexim është e rëndësishme ta shpërbleni. Nëse shikoni që fëmija juaj lexon një fjalë saktë ose një fjali, menjëherë përdorni përforcimin pozitiv me një fjalë verbale, një dhuratë të vogël, një ëmbëlsirë etj. Kjo i ndihmon fëmijët të kuptojnë se po bëjnë përparim dhe do të ndihen të motivuar për të vazhduar.
Gjithashtu, këshilla më e mirë është që t’i lini fëmijët të zgjedhin vetë kohën që duan për të lexuar, të zgjedhin vetë librin që pëlqejnë, të kapërcejnë faqet sipas dëshirës etj. Kjo liri iu shton më shumë dëshirën për të eksploruar dhe mësuar gjëra të reja.
Librat e të gjitha llojeve ofrojnë mënyra të ndryshme për të mësuar fjalë të reja dhe për të përforcuar lëximin. Mbi të gjitha nxitja e dashurisë për librat do të përforcojë kuriozitetetin dhe dashurinë për të mësuar gjithë jetën