Krimet brenda familjes, të cilat në rastet më dërrmuese janë feminicide, pra kur burrat vrasin gratë, vijnë si rezultat i mentalitetit patriarkal, i xhelozisë, i pafuqisë së grave për të ngritur zërin dhe për të cuar në vend të drejtën e tyre, vijnë si pasojë e legjislacionit të mangët, i cili shpeshherë nuk ka forcë ta mbrojë gruan nga abuzuesi, që për fat të keq në këto rasti, është personi i saj më i afërt, është bashkëshorti.
Për hir të së vërtetës ne jetojmë në një shoqëri të dhunshme; ky është një përfundim i nxjerrë nga statistikat që flasin me shifra dhe nga studiuesit që e analizojnë fenomenin. Dhuna manifestohet në shumë forma, qofshin ato ke, ekonomike, fizike apo seksuale. Në përgjithësi, shoqëritë në të cilat njeriu nuk është shumë i lirë dhe jeton në një masë të madhe për opinión, kanë predispozitën për të krijuar individë të frustruar dhe me një sërë kompleksesh.
Niveli i ulët arsimor, varfëria, papunësia, kriza ekonomike janë gjithashtu ndër shkaqet kryesore që nxisin dhunën dhe krimet në familje. Vështirësitë ekonomike dhe sidomos rritja e niveleve të papunësisë së burrave, luhat ekuilibrat e tyre “burrëroë”. Duke qenë se tipikisht ata janë perceptuar si burimi kryesor i të ardhurave në familje, përballë një shoqërie që ndryshon dhe pozitës që i lëkundet, ata nuk ndihen më aq të fuqishëm. Për këtë arsye, krizat ekonomike janë një terren në të cilin ndodhin shumë krime në familjë; mesa duket mungesa e stabilitetit ekonomik shton predispozitën që meshkujt ta shfaqin pushtetin e tyre në forma alternative më të dhunshme.
Bashkangjitur me abuzimin e pushtetit mashkullor, krimet në familje nxiten nga mendësia e prapambetur, nga fakti që gratë e abuzuara nuk kanë ku të shkojnë nëse divorcohen, nga pasiguritë ekonomike që kanë, nga varësia prej alkoolit dhe substancave që bashkëshortët e tyre kanë. Ato që shpesh etiketohen si “krime pasioni” nuk janë gjë tjetër në fakt, sesa një formë e kamufluar dhe e shëmtuar e primitivitetit social.