Çfarë shprehin ngjyrat e errëta në vizatimet e fëmijëve?

Sa i përket ngjyrave në vizatime, secila prej tyre ka domethënien e vet dhe nuk është rastësore, por një aspekt që përcjell informacion të konsiderueshëm lidhur me mënyrën si fëmijët ndjehen e mendojnë. Konsiderohet se që prej moshës 4-vjeçare e më tej, përdorimi i ngjyrave nuk është më i paqëllimtë, por ka një përmbajtje të lartë emocionale e individuale.

Që prej moshës 3/4-7/8 vjeçare, fëmijët përzgjedhin ngjyrat në vizatimet e tyre sipas emocionalitetit dhe ndjenjave të veta. Për këtë arsye, shpeshherë ato nuk përputhen me pasqyrimet dhe ngjyrat e vërteta të objekteve reale, por ngjyrosen sipas ngjyrave që fëmijës i pëlqejnë më shumë, psh. vizatohet dielli blu nëse i pëlqen bluja, retë e kuqe nëse i pëlqen e kuqja e kështu me radhë. Kur kalon kjo moshë, fëmijët njohin gjithnjë e më shumë realitetin dhe fenomenet, që do të thotë se ngjyrat në vizatimet e tyre janë ato të objekteve të vërteta, pra ka më shumë konkretësi dhe më pak imagjinatë.

 

Ngjyrat e errëta që shfaqen më shpesh në vizatime do të interpretohen:

  • Kafe- si ngjyra mes të kuqes dhe të zezës konsiderohet si tregues i hidhërimit, seriozitetit, kujdesit e deri tek shprehja e pakënaqësive.
  • E zeza- lidhet me ndjesi si ankth, frikëra, ndrojtje, dhimbje, melankoni, ngurtësi, humbje, vdekje, por njëkohësisht edhe elegancë, autoritet, pushtet e fuqi. Në rast se një fëmijë përdor shpesh të zezën në ngjyrosjet e tij, mund të ketë një humor të paqëndrueshëm, ndaj të cilit duhet treguar kujdes i veçantë.
  • Gri- frikë në përballimin e vështirësive, ankthi nga dështimi dhe qortimi, fleksibilitet.

Add Your Comment