Fëmijet e moshës 4-5 vjecare janë një grupmoshë shumë aktive, janë plot potencial, mundësi e dëshirë. Krijues plot fantazi, komunikues emocionalë, kërkues e selektive.
Duke qenë se loja është lider i zhvillimit, aktiviteti më i rëndësishëm në jetën e fëmijëve, ku nëpërmjet saj ata njohin mirë botën e jashtme dhe shprehin më mirë atë të brendshmen.
Më poshtë po ju sjellim disa sugjerime të lojërave/aktiviteteve argëtuese, që mund të kryhen në mjediset/kushtet e shtëpisë, me fëmijet e moshës 4-5 vjecare:
- Përgatisni brumë së bashku e më pas lëreni fëmijën ta manipulojë sipas fantazisë: Fëmija do të argëtohet shumë. Do të rrisë përqëndrimin,koordinimin sy-duar, do të zhvillojë motorikën fine dhe patjetër do të rrisë bashkpunimin me ju.
- Prerja e frutave/perimeve (të lehta për t’u prerë), duke i kategorizuar sipas formës,ngjyrës,shijes.
- Kalimi i makaronave rulo nëpërmjet një filli peri apo spango duke formuar një varëse. Më pas me anë të një peneli/furce apo sfungjeri i lyeni me boje ngjyra-ngjyra.
- Ndërtimi i piramidës me gota plastike(në formë gare).
- Vendosja e kartonit të rulove të letrave të kuzhinës si tynel në dysheme ose tavolinë, ku ata kalojnë një top të vogël plastik duke e fryrë me anë të një pipe.
- Ngjitja e nje tabaku të madh në mur ose dysheme ku fëmija vizaton i lirë sipas fantazisë së tij.
- Grisja e gazetave ose letrave dhe mbështjellja e copave për të formuar topa e më pas luajnë duke qëlluar njëri-tjetrin apo bërja e koshave.
- Kalim me pengesa duke kërcyer (me dy këmbë)mbi jastëkë katrorë.
- Tra ekuilibri mbi karriget e ngrënies të bashkuara njëra pas tjetrës
- Kalimi i tynelit duke u zvarritur poshtë karrigeve të ngrënies të bashkuara njëra pas tjetrës.
- Vizatimi në dysheme i vijave të pjerrëta, zig-zage dhe të lakuara ku fëmijës i duhet të kalojë mbi to pa devijuar.
- Lojë imituese; përballë me fëmijën ku atij i kërkohet të imitojë mimikën e fytyrës tuaj apo lëvizjet tuaja pa gabuar.
Përgatiti: Lindita BIRACI
Psikologe zhvillimi