Entela Isufi, psikologe
Një ditë izolimi do të përfundojë, dhe shumë prej nesh do të kthehen në zyra, restorante, shkolla e vendet e punës. Por, a do të jetë gjithcka njësoj si më parë? Ekspertët thonë jo. Kur të na hiqen “prangat “ e karantinës do të na duhet të përballemi me sfida të reja. Nuk do të kthehemi në atë qe ishte normalitet por duhet të krijojmë një normalitet të ri. Do duhet mund dhe angazhim për të rikrijuar rutinën e re të jetës dhe për të rivendosur marrëdhëniet me miqtë e kolegët. Disave nga ne do t’ju duhet më shumë kohë të rimarrin veten psikologjikisht nga periudha e të jetuarit në stresin e izolimit, pasigurisë financiare,humbjes se vendit të punes gjatë kesaj krize boterore. Trauma e virusit nuk do te zhduket kaq thjesht. Do të na duhet të ndryshojmë mënyrën e jetesës, dhe siç ka ndodhur gjithmonë ndryshimet nuk janë pritur mirë nga të gjithë. Por le të shohim anën pozitive, të gjithë ndryshimet që janë bërë deri tani janë bërë për një jetë më të mirë. Kontakti mes njerëzve është thelbësor për përfundimin e shëndetshëm të problemeve psikologjike.
Disa nga frikërat më të mëdha të njerëzve në këtë kohë janë:
- Rreziku i vazhdueshëm i kërcënimit dhe infeksionit të mundshëm shëndetësor.
- Pasiguria financiare.
- Vazhdimi i frikës nga humbja e të dashurit.
- Hidhërim i zgjatur dhe i ndërlikuar nga pamundësia për të takuar të afërmit.
- Njerëz të cilët mund të humbin punët, apo biznese të cilat hasen me një rënie drastike të fitimeve financiare.
- Vetë-kujdesi: Gjatë një katastrofe si pandemia,të vënit vetën në fund të rreshtit krijon një shqetësim të madh për ju. Vetë-kujdesi bën që koha të përdoret në një mënyrë më të përshtatshme. Ushqimi i shëndetshëm, pushimi dhe ushtrimet ju japin qëndrueshmëri për t’i bërë ballë çdo kërcënimi për mbijetesën tuaj. Kujdesuni mirë për veten tuaj së pari dhe do të keni më shumë për t’u dhënë të tjerëve.
Kur shqetësimi dhe stresi zënë vend, ndaloni dhe pyesni veten nëse jeni i uritur, i zemëruar, i vetmuar apo i lodhur. Ky sinjal alarmi mund t’ju rikthejë në ekuilibër. Nëse vetëm një ose një kombinim i katër gjendjeve është i pranishëm, ngadalësoni, merrni frymë dhe qetësohuni. Nëse jeni të uritur, merrni kohën për të ngrënë. Nëse jeni të inatosur,mundohuni të qetësoheni apo të merreni me diçka. Nëse jeni i vetmuar, drejtojuni dikujt që i besoni. Dhe nëse jeni të lodhur, pushoni. Kujdesuni për vetën. Ti e meriton. Kur ishte hera e fundit që bëtë një banjë të nxehtë apo u morët me një aktivitet i cili ushtron trupin dhe mendjen tuaj. Zhvilloni një “takim” 10 ose 15-minuta me veten tuaj, caktoni kohën personale për një hobi, një banjë të nxehtë, yoga, lexim,për të parë një film ose për të medituar.
Kufizoni informimin e tepruar dhe të panevojshëm nga mediat të cilat flasin për COVID-19. Lajme të tilla do t´iu shqetësojnë, dhe do të shtojnë stresin, ankthin apo frikën. Bejeni prioritet takimet virtuale me famijaret dhe miqte. Nëse do t´ia dalim me sukses gjatë kësaj periudhe të vështirë, çdo gjë do të shkojë mirë. Do të kthehemi në jetën e përditshme dhe do të ritakohemi me të afërmit tanë. Mos harroni se ky nuk është një problemi vetëm i juaji. Është i të gjithëve, i të gjithë botës. Do të gjejmë forcën tek njëri tjetri dhe pse larg dhe do të bëhemi të fortë për ta përballuar me sukses këtë kohë.