Teknikat e relaksimit dhe vizualizimit si për shembull meditimi konsiderohen ilaç për të gjitha sëmundjet e mendjes: depresioni, ankthi dhe stresi. Por, jo gjithmonë funksionojnë. Sipas rishikimit të parë sistematik mbi këtë temë, rreth një në 12 njerëz që provojnë meditimin përballen me një efekt negativ të padëshiruar, zakonisht një përkeqësim të depresionit ose ankthit apo edhe shfaqjen e këtyre simptomave për herë të parë.
Hulumtimet nga Universiteti Coventry në Mbretërinë e Bashkuar kanë treguar se në shumicën e rasteve, meditimi funksionon mirë në lehtësimin e ankthit dhe stresit, por fuqia e tij terapeutike është në çdo rast e mbivlerësuar dhe sigurisht jo universale. Ka shumë lloje të meditimit, por një nga më të njohurit është “mindfulness”, një fjalë angleze që do të thotë vetëdije dhe që tregon një praktikë në të cilën njerëzit mësohen t’i kushtojnë vëmendje momentit të tanishëm, duke u përqëndruar në mendimet dhe ndjenjat e tyre, në frymëmarrje dhe në trup për të arritur një gjendje relaksi mendor, thelbësore për mirëqenien dhe qetësinë.
Nuk funksionon gjithmonë
Në Mbretërinë e Bashkuar rekomandohet nga disa organe të NHS për të zvogëluar relapset e depresionit tek njerëzit që e kanë përjetuar këtë problem në mënyrë të përsëritur, gjithashtu si një alternativë efektive ndaj ilaçeve që shpesh kanë efekte anësore. Fatkeqësisht, megjithatë, ka pasur raporte për njerëz që kanë parë që gjendja e tyre mendore të përkeqësohet pas praktikave të meditimit, edhe pse nuk është e qartë se cila është arsyeja. Janë 55 studime në këtë drejtim dhe studiuesit kanë qenë në gjendje të llogarisin se rreth 8% e atyre që i janë përkushtuar meditimit kanë përjetuar efekte negative të padëshiruara duke filluar nga një rritje e ankthit deri te sulmet e panikut. Dhe nuk mungojnë rastet e psikozës dhe mendimeve për vetëvrasje.
Shmangni metodat “bëje vete”
Metoda “bëje vetë” nuk është kurrë plotësisht e këshillueshme sepse i mungon mundësia e një konfrontimi konstruktiv dhe pozitiv me profesionistë të cilët mund të japin mbështetje në rast nevoje.
Afrohuni tek çdo teknikë relaksimi, përfshirë meditimin, gradualisht dhe mbi të gjitha nën drejtimin e njerëzve me përvojë, të cilët mund t’ju ndihmojnë në rast përjetimi të situatave të pakëndshme.