Pjesë nga libri “Interpretimi i vizatimeve të fëmijëve”, Lorela Garuli
Në tërësinë e vizatimit që fëmija paraqet u kushtohet vëmendje si përmbajtjes, ashtu edhe formës. Do të thotë se mund të lexohet si ka vizatuar dhe më pas çfarë ka vizatuar. Do të analizohet pra në dy drejtime, aspektet formale dhe përmbajtja simbolike.
Aspektet formale. Është fjala për të vlerësuar çdo element të paraqitjes së jashtme formale të vizatimit, duke nisur prej përmasave, stilit, simetrisë, e me radhë.
– Koha e kryerjes së vizatimit. Konsiderohet se koha mesatare është rreth 5-6 minuta. Një kohë shumë e shkurtër e realizimit të vizatimit nëse ky i fundit është paraqitur me saktësi, shpreh aftësi të mira për të vizatuar. Në të kundërt, mund të bëhet fjalë për shprehje ankthi ndaj personit që përfaqëson figura e vizatuar. Një vizatim që merr shumë kohë, flet për elementë të mundshëm perfeksionizmi, obsesioni ose depresivë.
– Vendosja në fletë. Nëse figura njerëzore paraqet personin, hapësira rreth fletës do të paraqesë hapësirën e tij psikologjike. Nëse të dyja figurat janë vizatuara në të njëjtën fletë, është një shprehje varësie, nevojë për mbështetje, frikë dhe ankth nga ndarja.
– Përmasat. Një përmasë mesatare e të vizatuarit është rreth 18 cm lartësi, e cila zë 1/3 e një flete në format A4. Një vizatim shumë i vogël në përmasa do të shprehte pasiguri, praninë e ndonjë kompleksi inferioriteti, ankth, regresión, vetëvlerësim të ulët. Ndërsa përmasat shumë të mëdha lidhen me karakteristika narciziste, emocionalitet dhe impulsivitet i lartë deri në agresivitet. Megjithatë, e njejta paraqitje në një fëmijë tjetër mund të jetë shprehje e dëshirës së tij për të qenë i madh dhe i fuqishëm, kur mjedisin e percepton si mbytës dhe shtrëngues.
– Sa i përket stilit të paraqitjes së figurës, ai mund të jetë disa llojesh. Një vizatim që përmban linja të shumta, dinamizëm, forma të lakuara, shpreh spontanitet, gjallëri, lirshmëri, fleksibilitet dhe aftësi të mira përshtatëse. Një vizatim shumë i mirëpërcaktuar me konture shumë rigoroze është tregues i elementëve të pranisë së kontrollit emocional, tensionit dhe ngurtësisë.
– Paraqitja e vizatimi të figurës njerëzore pa disa pjesë të trupit është një element që flet për një lloj ndjesie parehatie, konflikti me veten, frike apo meraku lidhur me atë pjesë të trupit që mungon. Paraqitja e ekzagjeruar e një pjese të caktuar do të interpretohet si një formë kompensimi e menaxhimit të ankthit mbi atë pjesë.
– Shtrembërimi i një pjese të trupit apo i të gjithë figurës njerëzore, ka të bëjë me një kontakt të varfër me realitetin, një koncept të varfër të vetes, vështirësi në përshtatje dhe tregues i faktorëve stresantë.
– Radha e vizatimit është një nga aspektet formalë më të rëndësishëm për t’u marrë në konsideratë. Zakonisht vizatohet figura njerëzore që përfaqëson veten, do të thotë se një djalë do të vizatojë një figurë mashkullore dhe një vajzë një femërore. Në rastet që kjo nuk ndodh, mund të jetë tregues i vështirësisë së fëmijës në identifikimin e tij seksual ose burim konflikti me rolet dhe raportet e lidhura me gjininë.
– Vendosja përballë e dy figurave që fëmja ka vizatuar, mundëson të kuptohet koncepti i fëmijës mbi dallimet gjinore. Dy figurat njerëzore të vizatuara mund të paraqesin ndryshime cilësore, ose të jenë përfaqësime grafike që variojnë shumë mes tyre.
– Pozicionimi në fletë. Vendosja e figurës njerëzore të vizatuar në qendër të fletës është shprehje e një ekuilibri dhe aftësie të mirë përshtatëse. Në të majtë shpreh atashim me të shkuarën, në të djathtë ekstraversion dhe orientim drejt së ardhmes, e vendosur poshtë shpreh qendrueshmëri emotive, lart është një tregues pozitiv i fantazisë dhe ndjeshmërisë.
– Vizatimi i njeriut në formë skematike. Vizatimi mund të jetë skematik kur paraqitet si një rreth me katër vija që përfaqësojnë gjymtyrët (formë që haset më shpesh), mund të jetë i paraqitur me forma gjeometrike, në formë karikaturash, personazhi vizatimor apo robotësh. Ajo që kuptohet prej kësaj është se tek fëmijët kjo shpreh vështirësi në raportet sociale, ngurtësi dhe egocentrizëm.
– Vizatim i tejdukshëm. Është fjala për rastet kur figura njerëzore vizatohet transparente, pa ngjyra ose pa asnjë detaj, dmth vizatohen vetëm konturet. Një paraqitje e tillë shpreh praninë e elementëve regresivë, vështirësi të mundshme në përshtatje dhe në kontakt me realitetin, papjekuri dhe prania e ndonjë abuzimi të mundshëm.
– Vizatimi përballë, profil apo me kurriz. Figura njerëzore mund të vizatohet në drejtime të ndryshme. Përgjithësisht vizatohet në pozicion ballor, që është shprehje e zakonshme normale. Të vizatuarit në profil është shprehje e të qënit i rezervuar dhe vështirësi në përshtatje me mjedisin. Të vizatuarit me kurriz nuk ndeshet shpesh. Në këtë rast, interpretohet si mbyllje në vetvete, mungesë dëshire për të ndarë me të tjerët, refuzim i marrëdhënieve sociale e afektive, rezistencë.