Specifikisht, në varësi të ashpërsisë së vështirësisë dhe aspektit gjuhësor që është i prekur sipas secilit rast konkretisht të ADHD, do të gjykohet nëse trajtimi gjuhësor do të jetë mirëfilli logopedik apo nëse komunikimi do të jetë një pjesë integrale e trajtimit të plotë të fëmijës. Pra, do të bëhen vecmas seanca logopedike nëse fëmija ka vështirësi të shumta kryesisht në gjuhën e folur dhe në shqiptim. Në raste të tjera, objektivat e ndërhyrjes do të jenë më globale dhe gjithëpërfshirëse; duke u trajtuar vëmendja, do të përmirësohet kështu psh dhe aftësia për të lexuar e me radhë.
Aktivitetet dhe materialet që do të përdoren në terapi me fëmijët me ADHD duhet të jenë detyrimisht tërheqëse, interesante dhe motivuese. Të pasura në ngjyra, lloje, forma dhe mundësisht argëtuese e që fëmija t’i perceptojë më shumë si lojë sesa detyrë.
Gjithashtu, terapistët që punojnë me këta fëmijë nuk duhet të harrojnë që koha e tyre e vëmendjes është e kufizuar dhe duhet ditur të ruhet shumë mirë raporti mes motivimit dhe lodhjes së këtyre fëmijëve përgjatë seancave. Sapo vihet re që fëmija shfaq shenja lodhje, demotivimi apo mërzitje, ndërpritet ai aktivitet apo detyrë që po kryhet për t’ju rikthyer në një tjetër seancë të mëtejshme. Kjo vlen të mbahet parasysh sidomos për fëmijët afërsisht deri 10-vjec.
Në vijim, renditen aspektet përkatëse të trajtimit, në gjuhën e perceptuar, të dëgjuar, të folur dhe në aftësitë shprehëse dhe artikuluese të këtyre fëmijëve.
Programet dhe rrugët e ndërhyrjes në fushat e komunikimit të ADHD
- Perceptimi dëgjimor- fëmijët ndihmohen për të zhvilluar aftësinë që ka të bëjë me perceptimin e duhur dëgjimor dhe stimujt përkatës. Ka të bëjë me kryerjen e detyrave të dallimit e të diskriminimit mes sinjaleve të ndryshme apo të ngjashme auditive.
- Organizimi fonologjik- fëmijët ndihmohen të dallojnë, bashkojnë, përmbledhin, grupojnë, fonemat dhe tingujt përsa i përket formimit të fjalëve. Në këtë rast, gjuha e shprehur dhe pasurimi i fjalorit të fëmijës do të jetë objektivi i ndërhyrjes.
- Ndërhyrja në aspektet motorike të të folurit (dispraksia). Duke ditur që fëmijët me ADHD kanë vështirësi në kontrollin motor në shumë prej shprehive të tyre, dhe të folurit nuk bën përjashtim. Ky aspekt i ndërhyrjes synon të aftësojë dhe të fuqizojë fëmijën që të fitojë më shumë kontroll në mënyrë të ndërgjegjshme, të saktë dhe automatike në shqiptimin e fonemave të ndryshme. Fëmija ndihmohet njëkohësisht të përsosë dhe të memorizojë skemat e duhura të lëvizjeve të gojës, gjuhës, buzëve etj gjatë procesit të shqiptimit të një tingulli të caktuar. Përsëritjet e vazhdueshme dhe me mjete ndihmëse (mikrofoni, ndjekja e ritmit) ndihmojnë në realizimin e kësaj ndërhyrjeje.
- Shtimi i kanaleve të komunikimit. Kur një informacion jepet në mënyrë dëgjimore, është shumë lehtësuese dhe ndihmuese të “dublohet” rruga e përcjelljes së tij; pra nëse po shpjegohet një koncept teorik, parimor, informativ, kompleks dhe abstrakt, e mira është të përforcohet me gjuhë vizuale dhe grafike sa më shumë që është e mundur.
- Ushtrime të manipulimit, të modifikimit dhe të përpunimit të fonemave, shkronjave, rrokjeve, fjalëve, fjalive. Duke nisur nga strukturat më të thjeshta që mund të zbatohen nëpërmjet rimave, ushtrime ku mungon një shkronjë apo një rrokje e fëmija duhet të vendosë e të zgjedhë midis disa të ngjashmeve (që njihen ndryshe dhe si ushtrime të vendimmmarrjes fonologjike).
- Ushtrime të identifikimit të shkrojave apo rrokjeve të caktuara brenda fjalës.
- Ushtrime të kombinimit të shkronjave apo rrokjeve për të formuar fjalët e duhura.
- Ushtrime të identifikimit të vendndodhjes së një shkronje apo rrokjeje nëpër fjalë të caktuara.
- Zhvillimi i aftësive të vendimmarrjes leksikore, që do të thotë se fëmija duhet të përzgjedhë fjalën e duhur për të shprehur, shpjeguar apo përshkruar një objekt, fenomen, etj, midis koncepteve të ngjashme (një shembull shumë i thjeshtë, fëmija do të vendosë nëse për të përshkruar stinën e verës do të përdorë “ngrohtë” apo “mxehtë”).
- Ushtrimet e mësipërme sugjerohen të zbatohen mbi të gjitha konceptet; përmasë, hapësirë, kohë, distancë, sasi, pozicion, vendndodhje, cilësi, ngjashmëri, dallime, përjashtime, shkak- pasojë, kategorizim, etj.
- Aftësimi dhe edukimi i shprehive të komunikimit, bisedës dhe të reciprocitetit të dialogut; shprehi të cilat nuk janë të rëndësishme vetëm për komunikimin, por njëkohësisht dhe për ndërveprimin social. Shkolla është mjedisi ideal për të mundësuar praktikimin e këtyre aftësive, ku mësuesit kanë rolin thelbësor ndërmjetësues.
- Aftësitë analizuese, argumentuese, renditja e fakteve/faktorëve, tregimi i një ngjarjeje të saktë sipas rendit logjik dhe kronologjik, janë aftësittë mbase më të vështira për t’u përvetësuar dhe për t’u zbatuar pasi kërkojnë një nivel të caktuar kognitiv, të përpunimit të informacionit dhe të mendimit kritik, që në fakt janë të vështira për çdo fëmijë.
- Rrëfimi i një përralle, i një historie, risjellja e një kujtimi, renditja e hapave përkatës për të kryer një detyrë apo përshkrimi i rregullave të një loje, janë disa prej teknikave kryesore që mund të përdoren në ushtrimin e aftësive komplekse të komunikimit me shkrim e me gojë të fëmijëve me ADHD.
- Loja imagjinare, loja me “po sikur?”, loja ritualistike apo funksionale, ndërtimi i skenarëve të ndryshëm, role-play, simulimi i situatave sociale dhe të komunikimeve të llojeve të ndryshme, janë pjesë aktive, dëfryese dhe dinamike e praktikimit të komunikimit dhe të përdorimit të gjuhës së folur në rrethana që imitojnë ato funksionale të jetës reale (të marrë informacion, të kërkojë, të pyesë, të urdhërojë, të porosisë, të shprehë emocione/mendime, të blejë, të kërkojë një shërbim, të kërkojë ndihmë, etj).
Rëndësia e identifikimit të hershëm dhe trajtimi i çrregullimeve të të folurit tek fëmijët me ADHD, i shërben jo vetëm riparimit të këtyre problemeve por dhe parandalimit të të tjerëve të mundshëm. Duke qenë se fëmijët me ADHD që kanë një bashkëshoqërim me diagnoza të problematikave të komunikimit, rrezikojnë të shfaqin dhe vështirësi apo çrregullime në të nxënë dhe në procesin normal të shkollimit dhe të socializimit. Fatkeqësisht, këta elementë kalojnë të pa vënë re nga edukatorët, mësuesit dhe prindërit, të cilët kryesisht ankohen dhe arrijnë të dallojnë vetëm problematikat e sjelljeve të fëmijëve me çrregullimin e vëmendjes me/pa hiperaktivitet.