Çfarë mund të kuptohet për raportin e fëmijës me nënën nga mënyra e vizatimit të rrënjëve të pemës? Nga Lorela Garuli

Pema dhe kuptimet përkatëse që i bashkëngjiten, kanë zanafilla të hershme në mitologjitë e shumë kulturave: kineze, kelte, gjermanike, skandinave, greke, egjiptiane, kristiane, budiste.

Në njëfarë mënyre, të vizatosh pemën, do të thotë të bësh një lloj autoportreti; nis me rrënjët që përfaqësojnë mënyrën sesi i përqasemi mjedisit tonë, vazhdon me trungun si baza dhe pjesa më e qëndrueshme e personalitetit, duke përfunduar me kurorën e degët e pemës që janë si një “çati” apo nëse do të paralelizohej me trupin njerëzor, do të simbolizonte kokën, pra të menduarit racional.

Rrënja

Si pjesa më e thellë dhe më pak e dukshme e pemës, simbolizon të pandërgjegjshmen, irracionalen dhe emocionalitetin. Rëndësia e vizatimit të rrënjëve qendron me analogjinë që ato kanë me sistemin e mbështetjes dhe atë referues, për një rritje të shëndetshme në jetën e fëmijës. Ashtu siç janë origjina dhe forma primare e ekzistencës së pemës, rrënjët gjithashtu do të përfaqësojnë raportin me tokën-nënë, me qendrueshmërinë, me të ushqyerit dhe me sistemin më të hershëm dhe primitiv të atashimit. Askush nuk resht së qëni fëmijë, bir/bijë e dikujt, që do të thotë se edhe nevoja për stabilitet, siguri, përkatësi është përherë e pranishme përgjatë ciklit jetësor njerëzor, vetëm se në ndryshim nga mosha e fëmijërisë kur atashimi zë vend kyç, në moshën e rritur marrëdhënia me nënën i lë rrugë procesit të krijimit të raporteve e përvojave të reja.

Kështu, mungesa e rrënjëve në vizatimin e pemës nga ana e fëmijës është tregues i një pasigurie, paqëndrueshmëri emocionale, mungese e rëndësishme në sistemin e atashimit, psh. një pemë pa rrënjë ndeshet në vizatimet e fëmijëve jetimë. Më poshtë do të shqyrtohen disa nga mënyrat sesi fëmijët vizatojnë rrënjët dhe simbolika përkatëse (Crotti, 2013):

1. Rrënjë shumë të thella- varësi e lartë nga nëna, aq sa për individin paraqet vështirësi për të jetuar i pavarur, një raport i cili zë një pjesë të hapësirës dhe lirisë përsonale. Një posesivitet i tillë e vendos individin në pozita të viktimës dhe abuzimit emocional.

2. Rrënjë në formën e gishtave të dorës- parehati dhe një lloj hidhërimi, zemërimi e mllefi në lidhje me një nga figurat primare atashuese, një “dorë” përkujdesëse, por që e pengon të rritet e të fitojë pavarësi. Është shprehje e një kujdesi dhe mbrojtjeje të tepruar nga ana e prindit i cili luan rol protagonist në jetën e fëmijës.

3. Rrënjë të futura në një lloj mbështjellje/qeseje- është fjala për një lloj ngathtësie, “djalë mamaje”, një karakter i qetë dhe paqësor.

4. Rrënjë me fijëza të holla, të ndara nga njëra-tjetra: natyrë e ndjeshme, me nevoja për afeksion dhe dashuri.

5. Rrënjë me fijëza të mbyllura: tregues të një individi të qëndrueshëm dhe të fortë, që i do dhe përshtatet me rregullat, konformohet me to dhe nuk i pëlqejnë të papriturat, karakteristikë të një logjike formale dhe lidhje me vlerat tradicionale familjare.

6. Rrënjë që mezi dallohen: ndrojtje, turp, shmangie.

7. Rrënjë të prera, të shkurtra që përfundojnë në mënyrë të menjëhershme: shprehje ndrojtjeje dhe vogëlsie, prani e pakët mëmësore.

8. Rrënjë me majë/me cepa: ndjeshmëri, nivel i ulët tolerance ndaj frustrimit, ndaj të cilit përgjigjja është agresivitet verbal.

9. Rrënjë shumë të zgjatura, të drejtuara për poshtë: shprehje e një lidhje të fortë e shumë të afërt me nënën, edhe në aspektin seksual, që krijon njëfarë vështirësie në krijimin e identitetit të vet seksual dhe më vonë mund të manifestohet në pasjen e vështirësive në raportet me gjininë tjetër dhe në shprehjen e ndjenjave të veta.

10. Rrënjë të ndërthurura, ngatërruara, vizatuar në formë të shtrembëruara dhe të gërshetuara me njëra-tjetrën: elementë që shprehin një personalitet jo koherent e me luhatje humori. Individi nuk merr kënaqësi dhe afeksionin të cilin kërkon nga raportet sociale që ka.

11. Rrënjë të gjata, të shtrira, të vizatuara në formë zvarritëse e të zgjatura horizontalisht, poshtë trungut: një frustrim i pësuar në të shkuarën, pasojat e të cilit vihen re në të tashmen, duke e bërë personin të ndihet i parëndësishëm. Shembulli më i shpeshtë mund të jetë ai i lindjes së një fëmije tjetër në familje, që ka zgjuar tek fëmija ndjenja të thella xhelozie.

12. Rrënjë të zëvendësuara me një linjë horizontale, pema është e mbështetur mbi këtë vijë dhe duket se rrënjët mungojnë: interpretohet si kërkim i mbështetjes në sisteme të jashtme, shkaktuar nga ndonjë ndjenjë braktisjeje e mundshme në fëmijëri. Prania e këtij elementi në vizatim tregon se fëmija nuk e ka kaluar këtë ndjesi negative nga fëmijëria, por është në kërkim të përforcimeve pozitive nga mjedisi dhe raportet sociale.

13. Rrënjë të vizatuara poshtë një vije horizontale: prania e një përjetimi emocional traumatik.

14. Rrënjë të mbuluara nga bari: element që shpreh një fëmijëri të qetë dhe kalimin e etapave të zhvillimit në mënyrë të shëndetshme, me përkujdesjen e duhur mëmësore.

15. Rrënjë të vizatuara me vija të ndërprera, të fragmentuara, të papërfunduara: karakteristike për fëmijë që kanë përjetuar një lloj shkëputjeje ose largimi emocional (janë ndarë ose larguar nga një prind). Ankthi për largimin e prindit në fjalë është përherë i pranishëm nën jetën emocionale të fëmijës, ankth i cili nuk shprehet nga frika se mos zemëron apo largon dashurinë e njerëzve të rëndësishëm.

16. Rrënjë transparente: mund të interpretohet si njohje e impulseve dhe dëshirave më të thella të vetes ose në të kundërt, si një nevojë/dëshirë për të pasur qartësi, rregull, transparencë në aspekte që i ndjen si kaotike dhe konfuze.

Add Your Comment