Çfarë shprehin detaje të vizatimit të shtëpisë për jetën emocionale të fëmijës? Nga Lorela Garuli

Testi i vizatimit të shtëpisë mund të përdoret tek fëmijët prej moshës 5-vjeçare. Kur zhvillohet në dhomën e terapistit është e rëndësishme që fëmija të ketë të gjitha kushtet e nevojshme për të vizatuar në mënyrë komode e terapisti të jetë i vendosur përballë fëmijës në një largësi që e lejon atë të punojë i qetë por që njëkoësisht i mundëson ta vëzhgojë gjatë vizatimit.

Vizatimi kryhet duke i kërkuar fëmijës: Vizato një shtëpi sipas dëshirës tënde.

Pasi ka përfunduar vizatimi i shtëpisë, fëmijës i drejtohen disa pyetje, qëllimi i të cilave është që terapisti të mund të interpretojë në mënyrë më të plotë vizatimin e mbi të gjitha që fëmija t’i japë kuptim vizatimit duke hyrë në bisedë me terapistin. Pyetjet që bëhen janë:

o Kush jeton në këtë shtëpi?

o Ekziston vërtet kjo shtëpi apo e ke vizatuar sipas imagjinatës tënde?

o Je i kënaqur nga vizatimi yt? Nëse do ta ribëje, çfarë do të ndryshoje?

Informacioni që synohet të merret nëpërmjet këtyre pyetjeve shërben për të kuptuar sesa i gatshëm është fëmija për të folur për veten (kjo ndodh kur vizaton shtëpinë e tij reale), për të kuptuar rezervat e tij mbi situatën që përjeton apo dëshirat e veta, në rastet që vizaton një shtëpi imagjinare. Gjithashtu, duke treguar për vizatimin e tij, fëmija ka rast të flasë edhe për dinamikat familjare e sesi i sheh raportet emocionale mes anëtarëve.

INTERPRETIMI

Në pamje të parë, një shtëpi e vizatuar me kujdes, me ngjyra, me përmasa simetrike dhe proporcionale, me detaje, e gjerë, me derë të madhe, flet për ndjesi të lidhura pozitivisht me idenë e shtëpisë dhe familjes që ka fëmija, të cilën e percepton si një mjedis të ngrohtë që i fal qetësi dhe kënaqësi.

Në rast të kundërt, kur shtëpia është vizatuar keq, me ngjyra të zbehta e të vrara, dritare të vogla, dyer të mbyllura, e vjetëruar, e prishur ose e braktisur, shpreh pasigurinë afektive të fëmijës dhe ndjenjat e boshllëkut emocional që ai i lidh me konceptin e familjes, vetminë dhe mungesën.

Perspektiva e vizatimit

Kur shtëpia vizatohet e parë nga lart-poshtë, konsiderohet se shpreh ndjenja të lidhura me ankth, simptoma depresive, pasiguri, inferioritet. Largësia me anë të së cilës fëmija paraqet vizatimin e shtëpisë, tregon njëfarë distancimi emocional që ai bën; në këtë mënyrë e sheh me një lloj ftohtësie dhe objektiviteti racional.

Një tjetër perspektivë është ajo e të vizatuarit nga poshtë-lart. Në këtë rast fëmijës shtëpia dhe gjithë simbolika që ajo mbart i shkakton ndjenja inferioriteti, shtypëse dhe mbytëse.

Largësia

Një shtëpi e vizatuar e vogël dhe së largu, që të krijon idenë se gjendet e humbur në një sfond apo në një cep të peisazhit, përcjell në mënyrë analoge ndjenjat e fëmijës mbi vendin që zë ai në shtëpi dhe familje. Në këtë rast ajo që kuptohet është se bëhet fjalë për një familje e cila përqendron kohën dhe energjitë e saj në aktivitete ku fëmija merr shumë pjesë. Kjo i shkakton atij trishtim, ndihet i braktisur, i neglizhuar, i papërfshirë, i përjashtuar, që nuk i kushtohet vëmendje dhe kështu fëmija mësohet të kënaqet me pak dhe me një hapësirë e afeksion të kufizuar.

Përmasat

Një shtëpi e madhe është simbol i mikëpritjes, temperamentit ekstravert, të qënit miqësor dhe i hapur, i dashur dhe i afruar.

E kundërta shprehet nga vizatimi i një shtëpie të vogël. Në këtë rast bëhet fjalë për fëmijë të mbyllur, të ndrojtur, që nuk hyjnë lehtësisht në kontakte e marrëdhënie sociale dhe që kanë nevojë për nxitje e inkurajim.

Linja mbi të cilën vizatohet shtëpia

Kur shtëpia vizatohet fare pa vijë mbështetësë në tokë, është tregues pasigurie, ankthi dhe mungesë baze/themeli.

Në rast se shtëpia mbështetet mbi një vijë paralele me fundin e fletës, konsiderohet si një element që flet për një kontakt të mirë me realitetin dhe siguri. Kur vija mbi të cilën është mbështetur shtëpia është në formë të valëzuar, është tregues pozitiv i një përshtatjeje të mirë me mjedisin.

Kur nuk vizatohet asnjë vijë mbështetëse, por shtëpia vizatohet direkt mbi fundin e fletës, është fjala për një mungesë mbështetjeje, pasiguri, pakënaqësi ndaj realitetit.

Add Your Comment