Fytyra. Përfaqëson simbolikën e shprehjes së marrëdhënieve, të shkëmbimeve së kontakteve sociale e emocionale.
Vizatimi i zbehtë i tipareve të fytyrës është një tregues i tërheqjes sociale të personit. Në rastin e kundërt, kur tiparet vizatohen me shumë imtësi dhe detaje është një formë e shprehjes së nevojës së madhe për të tërhequr vëmendje dhe për të pasur marrëdhënie sociale që mungojnë.
Sytë. Kur vizatohen të vegjël ose të mbyllur janë tregues të orientimit nga vetja, introversionit, e për pasojë dhe të një vështirësie në vendosjen e raporteve me botën e jashtme.
Kur sytë vizatohen të mëdhenj janë shprehje e kureshtjes dhe dëshirës për të eksploruar. Në rast se përmasat e syve janë tepër të ekzagjeruara, tregojnë për ndjenja paranojake, frike, vigjilencë e lartë, ose elementë të mundshëm agresiviteti.
Kur sytë vizatohen me syze të errëta është një formë refuzimi për të hyrë në kontakt me botën dhe të tjerët; nëse syzet vizatohen jo të errëta është një mënyrë mbrojtjeje ose ndrojtje. Kjo vlen për rastet kur individi në të vërtetë nuk mban syze, por vizatimin e paraqet të tillë.
Kur sytë vizatohen me qërpikë shumë të gjatë dhe të trukuar, flasin për një lloj ekzibicionizmi dhe dëshirë për të tërhequr vëmendjen e për të qenë joshës (pas 10-12 vjeç). Nëse me sy të trukuar vizatohet figura mashkullore, shpreh një ambivalencë seksuale, që është e zakonshme në moshën e adoleshencës.
Vizatimi i vetullave është një tregues i një aftësie të mirë vëzhguese, ndërkohë që konsiderohet normale kur vetullat mungojnë tek vizatimet e fëmijëve shumë të vegjël.
Në rastet që sytë vizatohen pa beben e syrit, është shprehje e një papjekurie emocionale ose varësie emotive, me një sens jo të mirë të realitetit dhe aftësi jo të mira të të kuptuarit të perspektivës së tjetrit.
Kur sytë vizatohen të rrumbullakët, sipas formës së bebes së syrit, flasin për një të parë të kufizuar (në terma të njohjes dhe të të kuptuarit të ngjarjeve të mjedisit), ose është rasti i një fëmije i cili është shumë i ndjeshëm ndaj vlerësimeve të të tjerëve dhe ndihet i vëzhguar e i kritikuar, deri në ndjenja paranojake.