Përfaqëson tërësinë e emocioneve, prej nga ku burojnë instinktet, ndjenjat, dëshirat dhe aspiratat e çfarëdo lloji. Simbolika e trupit është e kundërt me simbolikën e kokës në vizatime, përfshin çdo gjë që ka të bëjë me irracionalen dhe ndjesoren.
Kur trupi vizatohet shumë i vogël, është një tregues që flet për mohimin dhe shtypjen e impulseve ndjesore, dmth fëmija nuk është i aftë t’i verbalizojë, të shprehë lirshëm atë që dëshiron, të kërkojë atë që pëlqen. Nga ana tjetër, të vizatuarit e trupit në këtë mënyrë është shprehje e ndjenjave të inferioritetit dhe mospëlqim i trupit të vet.
Një trup i vizatuar shumë i madh me shpatulla të gjera, i gjatë dhe voluminoz shpreh fillimisht interes tek forca fizike (tipike për djemtë adoleshentë). Gjithashtu,është një formë për të shprehur dëshirën e të pasurit forcë dhe aftësi në zgjidhjen e përballimin e situatave të vështira, ose një formë kompensimi i dobësive reale të pranishme.
Gjoksi. Kjo pjesë e trupit njerëzor pothuajse mungon gjithmonë në vizatime. Përfaqëson një simbolikë që lidhet me mëmësinë dhe karakteristika femërore të personalitetit. E vizatuar prej vajzave, interpretohet si vlerësim për imazhin e vet; kur vizatohen gjokse shumë të mëdha shprehin identifikim të vajzës me një nënë shumë autoritare. Ndërsa kur vizatohen prej djemve, flasin për ndjenja varësie ndaj nënës, si figurë atashimi.
Linjat e këllqeve dhe të pasmet e theksuara. Në rastet kur kjo pjesë vizatohet shumë e lakuar dhe më e gjerë në krahasim me pjesën tjetër të trupit, tek djemtë interpretohet si e lidhur me aspekte të homoseksualizmit. Në raste shumë të veçanta, kur pjesa e sipërme e trungut vizatohet gati e ndarë nga pjesa e poshtme, interpretohet si një shkëputje/çarje mes impulseve seksuale dhe mënyrës sesi ato shprehen, ose si një mungesë integriteti mes seksualitetit dhe afektivitetit të personit.
Kërthiza. Rrallëherë vizatohet. Shpreh elementë varësie, qoftë prej ndonjë personi, veprimtarie apo vesi, ose tregon për ndjenja posesiviteti.
Organet e brendshme. Vizatohen shumë rrallë. Nuk është e zakontë paraqitja e tyre në vizatime. Prania e organeve të brendshme është shprehje hipokondrie (shqetësimi të tepruar të paarsyeshëm mbi shëndetin dhe të qenit i sëmurë) ose halucinacionesh. Në këto raste, duhet analizuar dhe vlerësuar rasti për ndonjë shenjë patologjie të mundshme.