Përgatiti Lorela Garuli
Sa dinamika familjare kemi pranuar si realitetin tonë por në fakt brenda vetes e ndjenim se kishte diçka që nuk shkonte?
Të heshtësh për të “shmangur” problemet- të mos shprehësh atë që mendon dhe ndjen, qoftë si fëmijë apo i rritur, nuk bën gjë tjetër vetëm se të mëson të shtypësh emocionet dhe dhimbjen sepse sa herë ti apo një familjar e ka shprehur pakënaqësinë apo mendimin e vet të ndryshëm, në familje është shoqëruar me lëndim dhe kjo mund të ketë mësuar se përballja është konfliktuale.
Të përpiqesh të marrësh me mend sesi ndihet tjetri- në një klimë familjare të paqëndrueshme, të paqartë dhe të paparashikueshme, fëmija mëson të jetë alert, të kuptojë humorin e prindit, për të shmangur ndonjë shpërthim apo ndëshkim të mundshëm.
Të marrësh role që nuk të takonin- si fëmijë, marrja e rolit të personit që përpiqej të ndërmjetësonte konfliktin, të qetësonte prindërit, të kujdesej për motrat apo vëllezërit më të vegjël, të mbante të fshehta apo të bëhej palë me njërin nga prindërit, apo fëmija që kritikohej për çdo gabim, roli i “heroit”, ‘klounit”, “deles së zezë”- janë të gjitha pesha psikologjike të papërshtatshme dhe që në jetën si të rritur vazhdojnë përsëriten.
Frikë për të thënë atë që mendon- sepse shoqërohej me kritika dhe kundërshtime, duke të bërë të ndiheshe gabim e të vije në dyshim veten.
Normalizimi i shpërthimeve të dhunshme– sjellje disfunksionale të njërit prej anëtarëve të familjes që toleroheshin nga frika; shpërthime zemërimi verbal apo dhunë fizike.
Ndjenja faji për mënyrën sesi ndiheshe- vjen si rrjedhojë e edukimit me invalidimin emocional, ku prindërit në mënyrë të përsëritur zhvlerësojnë emocionet e vështira të fëmijëve me fraza të tipit: “çfarë të mungon ty? çfarë halli ke që ke ankth? unë në moshën tënde bëja dy punë” etj.
Krahasimi me motrën, vëllain, kushërinj, apo të tjerë- vret individualitetin, ul vetbesimin, krijon ndjenja të vazhdueshme pamjaftueshmërie dhe nevojë për të pasur konfirmimin e të tjerëve, edhe në moshë të rritur.
Identifikimi i këtyre dinamikave është hapi i parë drejt zgjidhjes psikologjike dhe rindërtimit të një “veteje” të shëndetshme dhe maturuar. Nëse e ke gjetur veten, dije që nuk je vetëm dhe terapia mund të jetë një alternativë drejt shërimit.
