A na bën më të lumtur bamirësia?

Të qenit zemërgjerë, të bësh mirë në një mënyrë vetëmohuese na vë në një gjendje të mirë shpirtërore por nuk na bën plotësisht të lumtur. Ndjenja e mirëqenies që ndien dikush pasi ka bërë një gjest bujarie, duket se është e destinuar të zgjasë për një kohë të shkurtër. Përkundrazi, të kesh ca para në xhep na kënaq më shumë.

Të dhurosh apo të mos dhurosh? Kjo është pyetja

Një studim, i kryer nga dy ekonomistë nga Universiteti i Bonit dhe Universiteti i Harvardit, Armin Falk dhe Thomas Graeber, ekzaminoi sjelljen e rreth 600 njerëzve që u përballën me zgjedhjen e caktimit të një fitimi të mundshëm për bamirësi. Rezultatet e hulumtimit u botuan në Procedurat e Akademisë Kombëtare të shkencave.

Konkretisht, kampionit iu kërkua të zgjidhte nëse do të luante për të fituar 350 euro për t’i dhuruar për bamirësi ose 100 euro për të mbajtur për vete. Për më tepër, u kryen pyetësorë për të matur nivelin e lumturisë në kohë të ndryshme: sa më shpejt që të mësohej nëse ishte fituar apo humbur dhe pas një muaji.

Të jesh bujar nuk është plotësisht e kënaqshme

Studimi zbuloi se 6 në 10 persona zgjodhën të bënin bamirësi nëse fitonin. Kjo do të thotë që, instiktivisht, ne jemi të prirur t’u japim atyre që janë në nevojë. Në terma afatshkurtër, ata që i dhuruan paratë për bamirësi janë shumë më të lumtur sesa ata që i mbajtën paratë për vete. Megjithatë, pas një muaji, rezultatet ishin krejt të ndryshme. Ata që kishin zgjedhur të ishin zemërgjerë ishin shumë më pak të lumtur sesa ata që i kishin futur në xhep 100 eurot.

Nga të qenit zemërgjerë, ne marrim më pak kënaqësi me kalimin e kohës, ndërsa nëse kemi fituar para (veçanërisht nëse akoma mund t’i shpenzojmë), ne jemi më të kënaqur.

Add Your Comment