Çfarë qëndron pas konfliktit të përjetshëm “vjehërr-nuse”?

Marrëdhënia nuse-vjehërr është ndër më të përfolurat dhe përshkruhet si më problematiket. Ky është një fakt që ndeshet në cdo kohë, kulturë, grupim shoqëror, pavarësisht dallimeve ndër breza dhe zhvillimit social të shoqëriësë. Kjo nuk do të thotë gjë tjetër, vecse dëshmon për dinamikën e kësaj marrëdhënieje që në njëfarë mënyre e bën të pashmangshëm konfliktin, apo në mos konfliktin, marrëdhënia nuse-vjehërr nuk shmang dot plotësisht të paktën në fillimet e saj pakënaqësitë dhe vështirësitë e këtij raporti mes dy grash.

Cila është arsyeja në thelb të këtyre mosmarrëveshjeve? E thjeshtë, është një lloj “rivaliteti” mes nënës dhe vjehrrës, dy personazhet femërorë më të rëndësishëm në jetën e djalit. Përpara se të flitet sesi marrëdhëniet mes nuseve dhe vjehrrave të përkeqësohen, apo në të kundërt të përmirësohen, është e nevojshme të krijohet një kuptim më i thellë se pse ato sillen ashtu.

Këto gra që janë bërë vjehrra, kanë qenë nëna për shumë e shumë vite me radhë, para se të jetojnë me nusen apo dhëndrin e tyre. Kanë rritur fëmijët, duke qenë burimi kryesor i mbështjetjes, përkrahjes, këshillave dhe besimit. Kur, në një cast të caktuar, djali zgjedh partneren. Vjen nusja, e cila merr një pjesë të madhe të vëmendjes nga “territori’ që më parë ishte vetëm i prindërve. Kjo do të thotë se secila prej të dyjave, do të duhet të pozicionohet në këtë marrëdhënie të re. Fillimi i raportit nuse-vjehërr mund të jetë i vështirë, sepse cdonjëra po merr role të reja sociale.

Edhe pse sigurisht që jo të gjitha vjehrrat ushqejnë ndjesinë negative kundrejt nuseve, ekziston një shkallë e vogël xhelozie. Mund t’u duket sikur do humbasin vëmendjen, dashurinë apo afeksionin e djalit, frikë kjo që shkaktohet prej një lloj posesiviteti, duke qenë se djali shihet si i “veti”.

Megjithatë, si i bëhet për të pasur një marrëdhënie të mirë, ku të dominojë bashkëpunimi, dashamirësia dhe toleranca? Duke qenë se janë shumë persona në mes, dmth nusja, vjehrra dhe djali, më e mira e mundshme është që secili të kryejë pjesën e vet për të kontribuar në një marrëdhënie të shëndetshme.

Ajo që mund të bëhet është që me takt dhe mirësjellje të caktohen disa kufij dhe limite për gjëra që janë të rëndësishme për secilën palë.

Nëse duam të arrijmë një sjellje apo rezultat të caktuar, mund t’ia dalim më mirë kur japim vetë atë model sjelljeje, sesa thjesht kur e propagandojmë. Komunikimi i mirë është baza dhe shtylla kurrizore e cdo marrëdhënieje, ndaj një marrëdhënie e mirë me këdo, përfshirë dhe me vjehrrën, varet në një masë të madhe dhe prej komunikimit.

Add Your Comment