“Kura e heshtjes”: redukton ankthin dhe përmirëson kujtesën

Zhurma është diçka konstante në jetën tonë, veçanërisht për ata që jetojnë në qytet, aq sa ndonjëherë as që e vëmë re, derisa jemi në një vend krejtësisht të heshtur. Dhe ne ndjejmë menjëherë mirëqenien që heshtja mund t’i japë jo vetëm veshëve, por edhe trurit.

Përfitimet për kujtesën

Qeniet njerëzore kanë nevojë për heshtje për të krijuar lidhje të reja dhe qeliza të trurit. Anasjelltas, njerëzit në kontakt të vazhdueshëm me zhurmën priren të vuajnë më shumë nga çrregullimet e gjumit, stresi dhe problemet e zemrës. Sipas një studimi nga Imke Kirste i Universitetit Duke, dy orë qetësi në ditë stimulojnë zhvillimin e qelizave në hipokampus, rajoni i trurit i lidhur me formimin e kujtesës. Kjo mund të ndihmojë në trajtimin e pacientëve që vuajnë nga sëmundje të lidhura me regresionin qelizor, të tilla si depresioni ose demenca. Në fakt, heshtja ndihmon për t’u përqendruar dhe duke qëndruar të fokusuar kujtesa jonë fiton pikë ditë pas dite.

Zvogëlon ankthin dhe lehtëson dhimbjen

Heshtja/qetësia është një tipar i meditimit, përfitimet e të cilit janë studiuar prej kohësh. Adam W. Hanley, një studiues në Universitetin e Utah, ka studiuar se si meditimi ka efekte shumë të rëndësishme në trup dhe mendje. Madje është theksuar se disa njerëz, të gatshëm për t’iu nënshtruar operacionit, kanë përjetuar lehtësim dhimbjeje dhe ulje të dëshirës për ilaçe kundër dhimbjeve.

Stimulon imagjinatën

Mungesa e stimujve të zhurmshëm favorizon edhe imagjinatën, sepse heshtja lejon ndërgjegjen tonë të krijojë hapësirën e duhur dhe gjithashtu lehtëson të kuptuarit e emocioneve të njerëzve të tjerë. Olga Capirci, një studiuese në Institutin e Shkencave dhe Teknologjive Njohëse Cnr, zbuloi se mungesa e tingujve u lejon njerëzve të perceptojnë dhe përpunojnë emocionet e të tjerëve në një mënyrë më të thellë. Vëzhgimi i njerëzve në heshtje mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë emocionet që theksohen në fytyra, shumë shpesh të ndikuara nga fjalët.

Mendimi i ekspertit

Sipas Moshe Bar, një neuroshkencëtar i njohur ndërkombëtarisht, zhurmat, të jashtme dhe të brendshme, na largojnë nga njohja e vetvetes, ndërsa, përmes meditimit dhe heshtjes, është e mundur të shijojmë gjërat e vogla që na rrethojnë dhe që shpesh merren si të mirëqena.

Add Your Comment