Rregullorja e re në shkolla e kopshte, që parashikon ndalimin e ekspozimit të nxënësve në rrjete sociale, ka qenë tema e diskutimit në emisionin e djeshëm “Wake up”. E ftuar për të dhënë mendimin e saj nga një këndvështrim më i thellë profesional, ka qenë psikologia Lorela Garuli.
Duke e lidhur situatën edhe me ngjarjen e fundit tragjike në Fier, ku një 38 vjeçar rrëmbeu dhe më pas vrau fëmijën 8 vjeç, në studio u fol për frikën e prindërve për sigurinë e fëmijëve të tyre.
Psikologia Lorela Garuli u shpreh se ngjarje të tilla sigurisht që shtojnë frikën e prindërve dhe lajmi është vërtet i rëndë. Por, ajo shtoi se lajme me jehonë të tillë, shërbejnë sa të vetëdijësohemi për një periudhë të shkurtër kohe e më pas biem në rutinën e përditshme.
Për të, ndalimi i ekspozimit pa kriter të fëmijëve në rrjetet sociale, është një nismë pozitive, e shpreson që ë pasohet nga të tjera.
Psilologia e shikon situatën pak më thellë sesa vetëm mbulimi i fytyrës së fëmijëve. Për të, ky duhet të jetë fillimi i një sërë nisash të ndryshimit të mendësisë mbi të respektuarit të privatësisë së fëmijëve.
“Fakti që ata janë të vegjël, nuk do të thotë se nuk kanë privatësinë dhe personalitetin e tyre. Është çështje limiti”, – thotë psikologia Lorela Garuli.
Sipas saj, kjo nismë ka qenë e nevojshme shumë më herët, sepse ekspozimi i fëmijëve në faqet sociale të insitucioneve arsimore duket si “shfrytëzues”, si një çështje marketingu i pastër.
Ndërkohë që është nevoja e respektimit të privatësisë, konfidencialitetit. Ekspozimi mund të bëhet me një lloj kriteri, duke respektuar masën.