Sa më shumë aktivë në rrjetet sociale, aq më të palumtur

Një studim i hulumtuesve në Universitetin e Pensilvanisë, identifikoi lidhjen midis kohës së kaluar në rrjetet sociale dhe shfaqjes së gjendjeve depresive. Platformat sociale, të cilat na lejojnë të lidhemi me njëri-tjetrin, në fakt rrisin perceptimin e vetmisë. Prandaj, të qenit shumë social rrit pakënaqësinë.

Facebook, Instagram dhe Snapchat

Hulumtimi që analizoi marrëdhënien midis kohës së kaluar në mediat sociale dhe të qenit të pakënaqur përfshiu 143 studentë të universitetit amerikan midis moshës 18 dhe 22 vjeç, kryesisht vajza, dhe monitoroi përdorimin e tyre të tre platformave sociale më të njohura: Facebook, Instagram dhe Snapchat. Në fillim të hulumtimit, secilit prej pjesëmarrësve iu kërkua një vlerësim i gjendjes së tyre shpirtërore dhe mirëqenies së perceptuar, së bashku me sasinë e orëve në ditë të shpenzuara për kurimin e përmbajtjes ose navigimin.

Mjaftojnë 30 minuta në ditë

Më pas, një grupi vullnetarësh, të zgjedhur rastësisht, iu kërkua të reduktonin kohën e kaluar në internet në çdo platformë në 10 minuta në ditë, për një maksimum prej 30 minutash në ditë. Në vetëm tri javë, krahasimi me grupin e kontrollit, i cili nuk kishte ndryshuar zakonet e tyre, tregoi se gjendja emocionale e atyre që kishin reduktuar përdorimin e mediave sociale është përmirësuar ndjeshëm. “Tingëllon e pabesueshme, por të mos jesh shumë social çon në një reduktim të ndjeshëm të depresionit dhe vetmisë”, thotë Melissa Hunt, nga departamenti i Psikologjisë në universitet. “Efektet janë edhe më të dukshme për ata që raportuan një sëmundje më të thellë në fillim të eksperimentit”.

Mediat sociale janë një dritare në jetën e të tjerëve që shfaq një imazh të shtrembëruar. Në internet priremi të tregojmë vetëm suksese dhe momente të lumtura, duke ndërtuar një version të vetes që jo gjithmonë përputhet me atë realin. “Literatura sugjeron se ka një konfrontim të fortë mes njerëzve në internet. Kur shikon jetën e të tjerëve përmes postimeve të tyre, është e lehtë të arrish në përfundimin se të gjithë kanë një jetë më të mirë se e jona”, thotë Dr Hunt.

Mësoni të përdorni mediat sociale

Këto gjetje mund t’ju ndihmojnë të ndryshoni zakonet tuaja për t’u përmirësuar. “Kur nuk je shumë i zënë me marrjen e miratimit/pëlqimit/pranimit në rrjetet sociale, në fakt ia kushton kohën aktiviteteve që na bëjnë të ndihemi më mirë dhe na japin një imazh pozitiv”, përfundon studiuesja. Për Dr. Hunt nuk ka asnjë dyshim, për t’u bërë më mirë ne duhet: “Të heqim telefonin inteligjent dhe të jemi me njerëzit që duam”.

Me përhapjen e rrjeteve sociale, njeriu vazhdimisht i nënshtrohet stresit të vështrimit të jashtëm. Kjo mund të bëhet e vështirë për t’u menaxhuar dhe duruar, veçanërisht për adoleshentët që po kalojnë një fazë që i bën ata veçanërisht të ndjeshëm ndaj gjykimit shoqëror.

Add Your Comment