A na bëjnë selfie-t më narcizistë?

Bërja e shumë selfieve çdo ditë, kur dilni dhe madje edhe kur jeni në shtëpi, e mbi të gjitha postimi i tyre në rrjetet sociale mund të rrisë rrezikun për të na kthyer në narcizistë. Kjo del nga një studim i botuar në revistën mjekësore “The Open Psychology Journal” nga shkencëtarë nga Universiteti i Swansea (MB) dhe Universiteti Shtetëror i Milanos.

Gjithmonë në qendër të vëmendjes

Sipas këtij studimi, bërja e shumë selfie-ve dhe postimi i tyre në rrjetet sociale mund të rrisë shumë shanset për të shfaqur tipare narciziste. “Përdorimi i mediave sociale për të publikuar mesazhe vizuale mund të theksojë perceptimin e individëve narcizistë për të qenë në qendër të vëmendjes – shpjegon profesor Roberto Truzoli, i cili koordinoi hetimin – Mungesa e censurës sociale “të drejtpërdrejtë” mund t’u ofrojë atyre mundësinë për të shfaqur disa aspekte të personalitetit të tyre narcizist, për t’u paraqitur në mënyrë madhështore dhe për të realizuar fantazitë e plotfuqishmërisë”.

Analiza zgjati 4 muaj

Gjatë anketës, studiuesit monitoruan ndryshimet e personalitetit të 74 personave midis 18 dhe 34 vjeç për katër muaj, duke vlerësuar gjithashtu përdorimin e tyre të mediave sociale – si Twitter, Facebook, Instagram dhe Snapchat. Të gjithë pjesëmarrësit në anketë (përveç njërit) përdornin rregullisht mediat sociale për tre orë në ditë. 60% e kampionit përdorën Facebook çdo ditë, 25% Instagram dhe 13% Twitter dhe Snapchat. Mbi dy të tretat përdorën mediat sociale për të postuar imazhe.

Protagonizëm i tepruar

Në fund të vëzhgimit, studiuesit vlerësuan se vullnetarët që postonin më shpesh fotot e tyre në internet, treguan mesatarisht një rritje prej 25% të tipareve narciziste. Kjo rritje ka bërë që shumë prej tyre të kapërcejnë kufirin klinik që kufizon “çrregullimin narcizist të personalitetit”, i cili manifestohet me protagonizëm të tepruar, prezumim epërsie dhe prirje për të shfrytëzuar të tjerët. Studimi zbuloi gjithashtu se ata që përdorën kryesisht mediat sociale për të postuar mesazhe verbale nuk shfaqën të njëjtat efekte. Megjithatë, në këtë grup njerëzish, u zbulua se niveli fillestar i narcisizmit ndikonte në përdorimin e mediave sociale: sa më narcizistë të ishin në fillim, aq më shumë prireshin të intensifikonin publikimin e postimeve me kalimin e kohës.

Rezultatet tregojnë se rreth 20 për qind e njerëzve mund të jenë në rrezik të zhvillimit të tipareve narcisiste që lidhen me përdorimin e tepruar të mesazheve vizuale në mediat sociale, shpjegoi Phil Reed, autori i parë i hulumtimit.

Add Your Comment