Blerje “të detyrueshme”: është një sëmundje e vërtetë

Shumica e grave duan të bëjnë blerje. Në fund të fundit, si është e mundur të rezistosh para pantallonave që ke ëndërruar gjithmonë apo palltos së fundit të modës? Por për disa njerëz dëshira për të blerë kthehet në një domosdoshmëri të vërtetë. Kjo do të thotë se ata vuajnë nga blerjet e detyrueshme, të cilat mjekët i konsiderojnë një patologji, si alkoolizmi dhe lojërat e fatit.

Është një obsesion i pakontrollueshëm

Sipas vlerësimeve të ekspertëve, ky nuk është një impuls i thjeshtë për të blerë, por një lloj obsesioni që është i pamundur të kontrollohet. “Patologjia e lidhur me blerjen identifikohet nga pamundësia për të zgjedhur të mos blesh. Prandaj, njerëzit që vuajnë nga ky siklet, pak si alkoolistët dhe bixhozxhinjtë, nuk mund të mos blejnë. Edhe pse ata e konsiderojnë sjelljen krejtësisht jofunksionale, në fund ata nuk mund të shpëtojnë”, shpjegoi Michele Cucchi, drejtor mjekësor i Qendrës Mjekësore Santagostino në Milano.

Ndonjëherë është normale ta lësh veten

Krejt ndryshe, është rasti i atyre që herë pas here kënaqen me blerje të vogla, ndoshta për të gjetur ngushëllim në një periudhë të vështirë ose kur janë pak të trishtuar dhe në depresion, ose për të hequr atë tekë që i ka tunduar për kaq gjatë. Në këto situata, mos u shqetësoni: nëse blerja është një “kalim kohe” që mund ta kontrolloni dhe që ju jep kënaqësi, nuk ka asgjë për t’u frikësuar.

4 këshilla të vlefshme

Në rast se e kuptoni që impulsi për të blerë po bëhet i pandalshëm, është mirë të kërkoni ndihmë. Pastaj mund të përdorni disa truke për të përmirësuar gjendjen tuaj të keqe. Para së gjithash, është mirë të krijoni momente të vogla kënaqësie gjatë gjithë ditës. Përkrahja dhe kënaqësia e vazhdueshme e vetes zvogëlon rrezikun e grumbullimit të një nevoje për kënaqësi, e cila më pas mund të çojë në blerje të detyrueshme. Këshillohet që të filloni të vlerësoni më shumë veten. Nëse personi gjen përmbushje brenda vetes, ai ka më pak nevojë ta kërkojë atë nga jashtë. Mos u përpiqni të fshehni frikën tuaj, përndryshe do të bëheni edhe më të brishtë. Pranimi i asaj që keni frikë ju bën më të fortë. Mundohuni t’i bëni vetes më shumë pyetje, duke iu përgjigjur me vërtetësi. Për shembull, të pyesni veten gjëra të tilla si “A më pëlqen ajo që bëj? Nëse nuk më pëlqen, çfarë mund të ndryshoj?” ose “A do të ndihem vërtet më mirë pasi ta bëj këtë blerje?”.

Ata që vuajnë nga blerjet e detyrueshme shpesh përfundojnë duke blerë artikuj krejtësisht të padobishëm. Në fakt, blerjet janë krejtësisht jashtë një logjike racionale.

Add Your Comment