Gjumi i mirë zvogëlon stresin dhe ankthin, disa këshilla

Jeni të shqetësuar dhe të stresuar? Gjumi i thellë mund të ndihmojë në rigjenerimin e trurit, sipas një studimi të fundit! Hulumtimi i kryer në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley, i botuar gjithashtu në revistën shkencore “Nature Human Behavior”, thotë se fjetja e mirë do të ndihmonte në luftimin e ankthit dhe stresit; ndërsa nga ana tjetër, një natë pa gjumë do të rriste nivelin e ankthit me 30%.

Çfarë është gjumi i thellë

Gjumi i thellë (NREM) është faza më e rëndësishme e ciklit të gjumit gjatë së cilës ngadalësohet aktiviteti i trurit. Sipas hulumtimit, është gjithashtu lloji më i përshtatshëm i gjumit për të qetësuar një mendje të shqetësuar: në këtë gjendje truri lëshon valë të mëdha dhe të ngadalta dhe nuk është shumë i ndjeshëm ndaj stimujve të jashtëm, ndërsa presioni i gjakut dhe rrahjet e zemrës ngadalësohen. Për këto arsye, zgjimi në këtë fazë bëhet shumë më i vështirë.

Një anksiolitik natyral

Studiuesit ekzaminuan dy grupe njerëzish duke përdorur një MRI dhe polysomnografi, e cila përdoret për të matur dhe vlerësuar cilësinë e gjumit. Rezultatet e testeve treguan se njerëzit që flinin më shumë dhe më mirë gjatë natës ishin më pak të shqetësuar dhe të stresuar ditën tjetër. Sipas autorit Matthew Walker, falë këtij studimi, u identifikua ky funksion i ri i gjumit të thellë, i cili në fakt zvogëlon ankthin gjatë pushimit të natës dhe rigjeneron trurin. Gjumi, pra, shërben si një anksiolitik natyral, me kusht që të flini mirë dhe mjaftueshëm çdo natë.

Varet nga mënyra e jetesës

Jo të gjithë e dinë që kohëzgjatja dhe cilësia e gjumit lidhen me ushqimin dhe zakonet e sjelljes. Angazhimet në punë, familja, jeta shoqërore dhe takimet e ndryshme mund të rrezikojnë shëndetin deri në një kontradiktë të vërtetë: lodheni dhe stresoheni në fund të ditës, por, pavarësisht gjithçkaje, është shumë e vështirë t’ju zërë gjumi.

Kohëzgjatja ideale e gjumit

Sipas ekspertëve, nata ideale e gjumit duhet të jetë 6-8 orë, as më shumë, as më pak. Kjo ndodh sepse gjumi më pak se 6 orë rrit rrezikun e goditjes dhe sëmundjeve koronare të zemrës, ndërsa fjetja për më shumë se 8 orë rrit rrezikun për trurin dhe zemrën.

Add Your Comment